MEDIA
Atkinson s’ka parë dhunën!
5 December, 2014 @9:24
Shqipëria nuk arriti të fitojë asgjë nga ndeshja me Serbinë, edhe pas shqyrtimit nga Trupi i Apelit të UEFA-së, që ishte pasuese e Komisionit Disciplinor.
Sidoqoftë, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë bërë të ditur se ata do të shkojnë edhe në Gjyqin Arbitrar Sportiv, CAS, për të kërkar drejtësi - organizëm ky, i pavarur nga të gjitha Federatat sportive.
Mirëpo, ajo që është interesante është se zyrtarë të FSHF-së të pranishëm në dëgjim gjatë shqyrtimit të Trupit të Apelit kanë bërë të ditur se referi i ndeshjes, Martin Atkinson, ka thënë se ai po të ishte në vend të Bekim Balajt (që u sulmua me karrikë) nuk do të kthehej në fushë.
“Jo, ndoshta nuk do të kisha pranuar të hyja në fushë. Por gjithsesi unë atë skenë e kam parë një ditë më vonë në televizion,” është cituar të ketë thënë Atkinson ka shkruar dje Koha Ditore, duke u bazuar në fjalët e zyrtarëve të FSHF-së që ishin në mbledhje.
Fjalët e britanikut Atkinson kanë ardhur pasi që avokati italian, Antonio Rigozzi, që mbronte Shqipërinë, e ka pyetur atë, pasi që ia ka treguar fotografinë e sulmuesit të Shqipërisë, Balaj, duke u goditur me karrikë nga tifozi serb: A do ta vazhdonit ju ndeshjen po të ishit në vend të Balajt?