PËRFORCIMI
Dragusha në Hajvali
4 December, 2014 @23:48
Skuadra e Hajvalisë i është kundërpërgjigjur përforcimeve të Besës e Prishtinës.
Ekipi që ditë më parë lajmëroi Ismet Munishin si trajner të ri të saj, sot ka njoftuar se ka arritur marrëveshje edhe me njërin ndër mesfushorët më me përvojë në vend, Alban Dragusha.
Mesfushori 32 vjeçar i Llamkos Kosovës, që javën tjetër i mbush të 33-tat, Dragusha, që ka edhe përvojë ndërkombëtare, do të jetë lojtari i ri i ekipit nga Kishnica.
Me përvojë ndërkombëtare
Dragusha ka regjistruar 13 paraqitje me Llamkos Kosovën këtë stinor në Superligë, derisa pritet të jetë një adut i fortë i Munishit në këndelljen e Hajvalisë gjatë pranverës.
Albani ka qenë pjesë e ekipeve si Baku (Azerbejxhan), Vorskla (Ukrainë), Kalmar (Suedi), si dhe ka luajtur për Besën e Skënderbeun në Kategorinë Superiore të Shqipërisë.
Hajvalia ka përfunduar vjeshtën në Superligë në vend të dytë të tabelës, me dy pikë më pak se lideri, Ferronikeli.