VËLLAZNIMI - GJILANI
Atmosferë e tensione, Gjilani shpëton, Vëllaznimi në barazh
19 May, 2018 @19:09
Pa fitues u mbyll dueli mes Vëllaznimit dhe Gjilanit në Gjakovë, rezultat i cili bën që Gjilani të mbetet automatikisht në Superligë, kurse Vëllaznimi duhet të luajë në barazh ndaj Ferizajit për ta tentuar mbetjen në elitë.
Ndeshja u zhvllua në një atmosferë fantastike, me përjashtim të minutave të fundit, ku situata u tensionua dhe ndeshja u detyrua të ndërpritet për pak minuta. Pas vazhdimit të ndeshjes me vendimin e gjyqtarit Genc Nuza, skuadrat përsëri nuk e gjetën golin dhe ndeshja përfundoi me rezultat të bardhë.
Në përgjithësi, më dominues në këtë duel ishin gjakovarët, të cilët ishin të detyruar të sulmonin pasi që vetëm fitorja ishte rezultati që do t’i mbante automatikisht në Superligë, e në anën tjetër, duke e ditur që i konvenon edhe barazimi, Gjilani qëndronte prapa dhe tentonte të rrezikonte me kundërsulme.
Atmosfera fantastike në tribuna, ku të pranishëm ishin edhe “Skifterët” nga Gjilani, “u zbeh” në minutat e fundit të duelit, kur nga tifozët vendas filluan të hudheshin gjësende në fushë pas një konflikti verbal mes tifozëve gjakovarë dhe Gëzim Rusit të Gjilanit. Nga gjësendet e gjuajtura në fushë i gjakosur përfundoi Betim Haxhimusa i mysafirëve, e kjo bëri që fillimisht të largoheshin nga fusha “Skifterët”, për shkaqe sigurie, e më pas ndeshja të ndërpritej për pak minuta.
Më pas, gjyqtari Genc Nuza e vazhdoi ndeshjen për edhe 6-7 minuta sa kishin mbetur, mirëpo portat mbetën të paprekura dhe ndeshja u mbyll 0-0, rezultat i cili e mban Gjilanin automatikisht në elitë, e Vëllaznimi tashmë është i detyruar të luajë në barazh.