PEJË

BOROZANI/Erdis Driza
Autogoli, mban Prishtinën në lojë
27 March, 2014 @17:40
Prishtina ka arritur të shënojë fitore në mysafirllëkun e vështirë ndaj Besës sot në Pejë. Golin prishtinasve ia ka ‘falur’ futbollisti me përvojë i Besës Fisnik Papuçi, i cili pas një dueli me Kastriot Rexhën pa dashje devijon topin në portën e tij.
Kjo ka qenë e mjaftueshme për ekipin e Afrim Tovërlanit që të arkëtojë tre pikë të reja dhe të vazhdojë të ndjek Llamkos Kosovën lidere, derisa kampioni në fuqi ka pasur edhe raste tjera shënimi por nuk ka arritur t’i konkretizojë.
Kanë qenë Kastriot Rexha e Shkëmbim Salihu ata që kanë dështuar të shënojnë në rastet për gol, derisa Besa ka rrezikuar kah fundi portën e Kushtrim Mushicës, por pa sukses.
Besa që nga minuta e 54-të e ndeshjes luajti me 10 lojtarë pasi që Florent Papuçi u ndëshkua me karton të kuq (dy të verdha).
Me këtë fitore Prishtina ka 10 pikë më pak se lideri Llamkos Kosova, derisa Besa mbetet e pesta në tabelë.
Në xhiron e radhës, Prishtina do të duhet të mposht Fushë Kosovën, të fundit në tabelë, në Stadium të Qytetit për të mbajtur hapin për titull, derisa Besa do të arkëtojë tre pikë të sigurta pasi që do të pushojë (do të duhej të luante ndaj ekipit tashmë të shuar, Hysi).
Rezultatet dhe tabela aktuale.