PAUL SCHOLES

REUTERS
Durim për Moyes, kritika për Arsenalin
27 March, 2014 @15:37
Legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes, ka qenë mysafir i Sky Sports në natën ku dy skuadrat e Manchesterit u takuan në derbin e xhiros.
Drejtuesit e emisionit kanë shfrytëzuar Scholesin edhe për të bërë pyetje të përgjithshme lidhur me Premier League këtë stinor.
Për Moyesin
Kështu së pari sa i përket ish ekipit të tij, Manchester United dhe rezultateve të dobëta ai mendon se mbrojtja është plakur dhe Moyesit i duhet kohë për tu adaptuar në United.
“Problemi më i madh është se Moyes nuk e di cili është 11-shja më e mirë e tij. Lojtarët gjithashtu nuk i kanë ndihmuar në këtë drejtim, pasi që nuk po luajnë më së miri që dinë. Sidoqoftë, duhet të qëndrojnë pas tij. Ai ka bërë disa transferime, por e din shumë mirë se i duhen ende. Tashmë nuk mund të llogaritet në mbrojtjen e plakur me Rio Ferdinand, Nemanja Vidic e Patrice Evra,” ka thënë Scholes.
Për Arsenalin
Ndër pyetjet tjera që i janë bërë ai ka qenë më kritik te futbollistët e Arsenalit të cilët sipas tij nuk do të fitojnë trofe përsëri.
“Kapituluan në Chelsea, e njëjta i ndodhi edhe me Liverpoolin, pranuan shumë gola edhe nga City. Për një arsye apo tjetër, Artetat, Cazorlat, Rosickyt dhe Ozilët nuk janë të disciplinuar në fushë. Ata i luajnë disa pasime të bukura me njëri-tjetrin në mes të fushës shkojnë në sulm dhe nuk mërziten për pjesën që e kanë lënë bosh. Ata nuk kthehen prapa. Nuk kanë lider si Patrick Vieira, si Martin Keown, e as si Tony Adams. Kur je mesfushor, ndonjëherë të shkon e tërë ndeshja duke u kujdesur që kundërshtari të mos sulmojë, thjesht duhet t’i ndalësh sulmet e kundërshtarit - por këta, këta humbin 2-0 shkojnë në sulm, humbin topin, disa pasime të dyfishta i bëjnë dhe fare nuk mërziten për sprint prapa në mbrojtje. E pastaj pyesin pse jemi këtu!” ka kritikuar njëri ndër mesfushorët më të mirë qendror që ka prodhuar ndonjëherë Anglia, mesfushën e Topçinjëve nga Londra.
Arsenal gjindet në pozitën e katërt të tabelës, derisa Manchester United është i shtati në renditje. Lider i Premier League është Chelsea, i ndjekur nga Manchester City që ka dy lojë më pak të zhvilluara.