BALLKANI - FLAMURTARI
Ballkani ngritet në pozitën e dytë
24 October, 2019 @16:20
Një ndeshje fantastike është zhvilluar sot në stadiumin e qytetit të Suharekës në mes të Ballkanit dhe Flamurtarit.
Ballkani e mposhti Flamurtarin me rezultat 3-1.
Goli i parë erdhi në minutën e 24’, pas një goditjeje të fuqishëm të Blend Baftiut, i cili shënoi një super gol nga distanca. Edhe pse skuadra e Flamurtarit u ankua se një lojtar i Ballkanit ishte në pozitë jashtë loje, gjyqtari Dardan Çaka e pranoi golin.
Dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, skuadra nga Prishtina fitoi penallti, pas prekjes me dorë nga Besnik Krasniqit të Ballkanit, por Festim Krasniqi dështoi nga pika e bardhë, duke goditur mbi portë.
Besnik Krasniqi e përmirësoi gabimin, duke i asistuar në minutën e 59’ Artur Maganit, i cili e shënoi pa problem me kokë.
Goli i tretë i Ballkanit erdhi në minutën e 64’ nga Jetmir Topalli, të cilit iu anuluan dy gola gjatë ndeshjes për shkak të pozitës jashtë loje.
Në minutën e 70’ erdhi goli i vetëm i Flamurtarit nga Angel Granchov. Edhe pse Flamurtari më pas tentoi ta barazojë rezultatin por përpjekjet nuk mjaftuan.
Ballkani me këtë fitore përkohësisht ngritet në pozitën e dytë me 23 pikë, kurse Flamurtari me 9 pikë mbetet në zonën e rrezikshme.