ISHUJT FAROE - KOSOVA
Barazim, që na sjell “me këmbë në tokë”
14 October, 2018 @19:54
Pas dy fitoreve radhazi në Ligën e Kombeve, Kosova është ndalur sot në ndeshjen e zhvilluar si mysafire e Ishujve Faroe.
Ndeshja filloi në mënyrë fantastike për përfaqësuesen tonë, me Milot Rashicën që shënoi një supergol nga distanca, mirëpo që nga ai moment Kosova nuk arriti të krijojë shumë raste konkrete për shënim, për ta mbyllur ndeshjen me vetëm një gol të shënuar, aq sa shënuan edhe vendasit.
GRUPET DHE ORARI - LIGA E KOMBEVE
Goli i vendasve erdhi në fillimin e pjesës së dytë, kur pas një gabimi të Amir Rrahmanit në pasim, harkimin nga e djathta e shfrytëzoi maksimalisht Joensen, i cili barazoi shifrat në 1-1, rezultati i cili doli të ishte përfundimtari i ndeshjes.
Duhet përmendur që dukshëm në sy ranë mungesat e Hekuran Kryeziut e Benjamin Kolollit, pa të cilët skuadra dukej dukshëm më ‘e mangët’. Sa i përket ndeshjes tjetër, për shkak të kartonëve do të mungojë Atdhe Nuhiu, i cili sot u ndëshkua me karton të verdhë.
Dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve Kosova i luan muajin e ardhshëm, ndërsa sa i përket renditjes, aktualisht mbesim në krye të grupit, pasi që Azerbajxhani dhe Malta sonte ndanë pikët.