BARÇA
Barça shkarkon Zubizarretan, largohet edhe Puyol
5 January, 2015 @18:21
Drejtori sportiv i deritashëm te Barcelona, Andoni Zubizarreta, dhe ndihmës drejtori, Carles Puyol, nuk do të jenë më pjesë e skuadrës katalonase.
I pari është shkarkuar me vendim të presidentit të klubit, Josep Maria Bartomeu, derisa i dyti ka hequr dorë vullnetarisht nga puna që e kishte deri më tani.
“Presidenti i FC Barcelona, Josep Maria Bartomeu, ka vendosur ta shfuqizojë kontratën e drejtorit sportiv, Andoni Zubizarreta. Presidenti, në emër të klubit, falenderon Zubizarretan për kontributin, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, në këta katër vite si drejtor sportiv,” thuhet në njoftimin e klubit.
Ndërsa atij iu është bashkuar ish kapiteni i klubit, Carles Puyol, i cili me anë të një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur largimin e tij.
“Me këtë deklaratë, dua të ju informojë se e kam përfunduar punën dhe bashkëpunimin tim me klubin e Barcelonës. Këta tre muaj e gjysmë më kanë dhënë mundësi për të parë anën tjetër të klubit. Kam mësuar shumë, jam shumë mirënjohës, por unë dua të përjetojë gjëra tjera nga një perspektivë tjetër dhe në vende të tjera,” ka shkruar Puyol.
I tërë ky ndryshim ka ardhur pas humbjes së djeshme të Barcelonës nga Real Sociedad, ku katalonasit nuk arritën që të zënë Real Madridin që gjithashtu lëshoi pikë në Valencia.
Zubizarreta është kritikuar për politikën e transfereve, pasi që morri mbrojtës mesatar, si Jeremy Mathieu dhe Thomas Vermaelen (i lënduar), derisa Blaugranat vuajnë në mbrojtje pas pensionimit të Carles Puyolit nga futbolli aktiv.
Ndërsa FIFA ka shqiptuar dënim ndaj Barcelonës për ndalesë transferimi gjatë gjithë vitit 2015.