ÇEREKFINALJA: VËLLAZNIMI - DRITA
Bardhoku vendos, Vëllaznimi eliminon Dritën
10 February, 2019 @14:59
Sikurse sezonin e kaluar, edhe këtë sezon është skuadra e Vëllaznimit ajo që e eliminon Dritën nga Kupa e Kosovës.
Në ndeshjen e zhvilluar sot në Gjakovë, gjakovarët shënuan fitore minimale 1-0, për ta eliminuar kështu Dritën nga Kupa e Kosovës dhe për ta siguruar gjysmëfinalen e kësaj gare.
Rasti i parë për shënim u paraqit për Endrit Krasniqin e mysafirëve në minutën e 30’ të ndeshjes, moment në të cilin goditja e lojtarit në fjalë u prit në mënyrë fenomenale nga portieri Altik Muhaxhiri i vendasve. I njëjti lojtar rrezikoi direkt nga goditja e këndit 9 minuta më vonë, mirëpo portieri gjakovar edhe në këtë rast u tregua i vëmendshëm.
Tre minuta para përfundimit të kohës së rregullt të pjesës së parë, Tun Bardhoku me të djathtën ia dha epërsinë gjakovarëve, ndërsa pasimin final pas akcionit fantastik të gjakovarëve për Bardhokun e dha Almedin Murati, i cili sot zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë personale.
Pak sekonda para se të mbyllej pjesa e parë, për mysafirët provoi Xhevdet Shabani, mirëpo gjuajtja e tij përfundoi në rrjetë të jashtme dhe skuadrat shkuan në pushim pranë rezultatit 1-0.
Në pjesën e dytë, më kërkues ishin mysafirët, mirëpo gjakovarët zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë në fazën defansive dhe arritën ta ruanin epërsinë deri në fund, për ta mbyllur kështu ndeshjen me fitore 1-0 dhe për të kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Dhjetë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, trajneri i gjakovarëve, Ismet Munishi, u përjashtua nga loja për shkak të protestave të vazhdueshme ndaj gjyqtarit dhe pjesën e mbetur të ndeshjes e shikoi nga tribunat.
Në gjysmëfinale Vëllaznimi i bashkangjitet Feronikelit, ndërsa dy gjysmëfinalistët tjerë nuk janë përcaktuar ende.
Siç dihet, çiftet gjysmëfinaliste përcaktohen me short, ndërsa sistemi i ndeshjeve gjysmëfinale është vajtje-ardhje.