KUPA E KOSOVËS

TOPSPORTI / D.SH
Kush do të jenë 3 gjysmëfinalistët e fundit?
10 February, 2019 @10:50
Me ndeshjet e Kupës ka filluar pranvera në futbollin kosovar.
Dje skuadra e Feronikelit arriti të bëhet gjysmëfinalistja e parë e Kupës së Kosovës për këtë edicion, ndërsa tre gjysmëfinalistët e tjerë do t’i kuptojmë sot.
Me fillim nga ora 13:00, Kika, për shkak të gjendjes jo të mirë të fushës në Hogosht, në stadiumin me bar sintetik në Gjilan e pret skuadrën e Ballkanit, në një takim i cili ‘në letër’ i favorizon mysafiët nga Theranda, ndërkohë që në të njëjtin orar mes vete luajnë edhe Vëllaznimi e Drita, në një ballafaqim që pritet të përcjellet nga një numër i madh i shikuesve në stadiumin e qytetit në Gjakovë. Kujtojmë që ishte pikërisht Vëllaznimi skuadra që e eliminoi Dritën nga Kupa sezonin e kaluar, për të shkuar më pas deri në finale, ku u mposht nga Prishtina pas penalltive.
Çerekfinalja e fundit zhvillohet gjithashtu sot. Në “Fadil Vokrri” Prishtina vendase luan ndaj Trepçës ‘89, për ta kompletuar kështu numrin e ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Kosovës.