SUPERKUPA EUROPIANE

Arjen Robben është njëri ndër futbollistët që ka luajtur për të dyja skuadrat e finales së sontme/ REUTERS
Bayern apo Chelsea?
30 August, 2013 @9:55
Kampioni europian, Bayern Munchen, sonte takohet me fituesin e Europa League, Chelsea, për t’u përballur në ndeshjen e vlefshme për Superkupën europiane. Bayern në anën tjetër ka një plagë të madhe nga Chelsea, që dy stinorë më parë në Allianz Arena të Munchenit, ua morri trofeun e Ligës së Kampionëve. Koha për hakmarrje!
Të dyja klubet këtë stinor kanë trajner të ri. Bayern ka emëruar Pep Guardiolën, ndërsa Chelsea, Jose Mourinhon.
Por, rivaliteti i këtyre trajnerëve kalon kufijtë e normales, që nga koha kur këta udhëhiqnin Barcelonën (Guardiola) dhe Real Madridin (Mourinho).
“Posa të fillojë ndeshja, fokusi do të kalojë te futbollistët. Arsyeja pse jemi këtu është sepse fëmijët e duan futbollin dhe miliona njerëz në mbarë botën do të qëndrojnë para ekraneve televizive për të parë dy klube të mëdha në akcion - jo trajnerët,” ka thënë spanjolli Guardiola për faqen zyrtare të UEFA-së sot.
Guardiola gjithashtu ka quajtur Mourinhon si ‘mjeshtër i taktizimit’.
“Do të jetë shumë mirë për Chelsean që pas triumfit në Europa League luan me Bayernin. Kjo do t’ua kujtojë atyre se sa e vështirë do të jetë Liga e Kampionëve sivjet. Gjithmonë është vështirë ndaj Bayernit. Fuqia e tyre është ekipi. Treshja Arjen Robben, Franck Ribery dhe Bastian Schweinsteiger janë në kulminacion të karrierës dhe luajnë në ndeshjet më të rëndësishme gjithmonë, si me klub ashtu edhe me përfaqësuese. Kanë treguar se janë perfekt me fitoren e trefishtë të trofeve në stinorin e kaluar,” ka lëvduar Mourinho kundërshtarët para ndeshjes së sontme, duke besuar se skuadra e tij mund të fitojë këtë kupë pas humbjes së Chelseat nga Atletico Madrid në finale të Superkupës dy stinorë më parë.
“Kur Atletico Madrid e pat mposhtur Chelsean, Chelsea ka qenë favorit. Prandaj edhe ne mund të fitojmë sonte,” ka përfunduar strategu portugez i londinezëve.
UEFA SUPERCUP FINAL, Sonte:
20:45 - Eden Arena, Pragë | Bayern Munchen - Chelsea | Gjyqtar kryesor: Jonas Eriksson (Suedi) |
KUOTAT E WILLIAM HILL:
1 | Bayern fiton - 1.83 | Chelsea fiton - 4.60 |