REKORDERI GUARDIOLA

Bayern barazon rekordin e Barcelonës
6 November, 2013 @14:29
Bayern Munchen ka barazuar rekordin prej nëntë fitoreve me radhë të Barcelonës në Ligë të Kampionëve mbrëmë me fitore ndaj Viktoria Plzenit si mysafir 1-0.
Pep Guardiola futi në pjesën e dytë golashënuesin më të mirë të bavarezëve, Mario Mandzukic, i cili edhe shënoi golin e vetëm në ndeshje, që siguroi kualifikimin për Bayernin.
Rekordi i Barcelonës prej nëntë fitoreve me radhë në Ligë të Kampionëve daton nga stinori 2002/03. Barcelona kishte fituar të gjitha ndeshjet në grup, derisa kalon në raundin tjetër kur pas dy fitoreve tjera, u ndalën nga Interi 0-0 në Giuseppe Meazza.
E Bayern, prej se ka pësuar nga Arsenali në shtëpi 0-2 stinorin e kaluar të Ligës së Kampionëve, nuk ka lënë asnjë ndeshje pa e fituar. Këto fitore vazhdojnë edhe këtë stinor dhe tashmë Guardiola ka barazuar rekordin e Barcelonës, ndërsa nëse arrijnë ‘bavarezët’ të shënojnë fitore në ndeshjen e radhës ndaj CSKA Moskës në Moskë më 27 nëntor - atëherë rekordi i katalonasve do të bie në ujë.