MEDIAT ZVICERANE
Behrami mbyll derën për Kosovën
23 March, 2016 @13:26
Njëri ndër futbollistët më me përvojë të përfaqësueses zvicerane, Valon Behrami, ka thënë se është i vjetër që t’i bashkangjitet Kosovës tash, nëse kjo e fundit pranohet shpejt në UEFA e FIFA.
Në një bisedë me 20min.ch Behrami është pyetur nëse ai bashkë me shokët e skuadrës që kanë origjinë kosovare do t’i bashkangjiten djelmoshave të Albert Bunjakit në vitet në vijim.
“Në rastin tim është 1000% e sigurt se nuk do të jem pjesë e Kosovës pasi që jam 30 vjeçar tashmë. Besoj se edhe futbollistët tjerë që luajnë për Zvicrën do të kenë të njejtin vendim. Ne jemi rritur këtu dhe qëllimi jonë gjithmonë ka qenë të luajmë për përfaqësuesen. Kemi qenë të suksesshëm duke i arritur kampionatet botërore e europiane, e Kosova është ende larg nga këto,” ka thënë Behrami për 20 minutëshin zviceran.
Sa i përket reprezentacionit të Kosovës, Behrami ka thënë se duhet kohë që të krijohet trungu i ekipit.
“Kosova natyrisht që ka lojtarë të mirë dhe me potencial, por shumica jetojnë jashtë vendit si për shembull në Suedi e Finlandë. Rasti pak a shumë i ngjajshëm me Zvicrën, duhet 15 deri 20 vjet punë për të krijuar një trung të mirë të përfaqësueses për të arritur qëllimet e mëdha,” ka shtuar ndër të tjera ai.
Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Shani Tarashaj që janë nga Kosova me origjinë luajnë me përfaqësuesen zvicerane. Aty gjithashtu bëjnë pjesë edhe shqiptarë të Maqedonisë si Admir Mehmedi e Pajtim Kasami.
Më parë për Zvicrën ka luajtur edhe Milaim Rama, që ka qenë shqiptari i parë në garë të madhe me këtë shtet.