DITARI RUS (9)
Belgjika në formë, Gjermania nën presion
Shkruan: Luan MORINA
24 June, 2018 @11:53
Si kampionë
Nëse deri tani një ekip po tregon formë kampioni, atëherë janë Belgjika. Por, nëse më duhet të zgjedh në mesin e favoritëve për titull kampioni, atëherë është herët të vendosim të gjitha letrat në Belgjikën.
Në dy ndeshjet e para kanë pasur kundërshtarë më të dobët, dhe nuk kanë hezituar të vendosin formacion sulmues edhe me vetëm Boyatan si lojtar i pangarkuar me detyrë sulmuese krahas Courtois. Hapja e Lukakut, si dhe Hazardi tashti në pjesën e dytë, duhet të mos shkaktojë kokëçarje për golat, por menjëherë aty janë lëndimet. E krahas lëndimeve, janë edhe ekipet tjera më të mëdha se Panamaja e Tunizia. Pa nënçmuar asnjërën, sidomos tunizianët që nuk frikësoheshin të sulmojnë, me Anglinë do të jetë ndeshje pak më e vështirë. Por, deri tani, askush nuk po luan më bukur se Belgjika. Pos ndoshta Rusisë!
Çiçarito
Nipi i Çiçaros shënoi golin e pesëdhjetë për Meksikën mbrëmë! Është një qendërsulmues klasik i zonës, por meksikanët nuk janë pa lojtarë të aftë për sulm, përkundër mbrojtjes me pesë e edhe me gjashtë nganjëherë. Hirving Lozano në ndaljen e një kundërsulmi të koreanëve, vetëm sa dëshmoi angazhimin e tij në çdo repart të fushës, ndoshta edhe duke ia ngritur çmimin vetes.
ORARI DHE TABELAT - RUSSIA 2018
Në anën tjetër koreanët provuan me armën e tyre më të fuqishme – kundërsulmet. Por, presioni psikik e kishte bërë të vetëm, dhe vërehej ashiqare tensioni dhe agresiviteti tek koreanët, diçka që është parë vetëm në dy kombëtare deri tani – Kroacia dhe Serbia, për shkak të mentalitetit ballkanik më shumë!
Hija
Gjermania nuk është as afër hijes së kampionit. Dhe asnjëri nga lojtarët që mungojnë, Gotze, Sane, Mustafi, apo edhe Petersen s’do të mund të përmirësonin këtë ekip. Fituan me fat, në kohën shtesë, për fatkeqësinë e suedezëve të cilët tani kanë gjithçka në dorën e tyre. Fitorja ndaj Meksikës i dërgon tutje.
Low kishte ndryshuar mbrojtjen duke angazhuar Rudigerin për lëndimin e Hummelsit, Hectorin si një të majtë të duhur, Rudyn në vend të Khediras për të përkrahur Kroosin, dhe Ozilin në bankën e merituar. Shterpësia e Muller po e bën të veten, gjersa Werner nuk është i pjekur për kësisoj gara, për dallim nga Brandt i cili është në moshë të njëjtë.
ORARI DHE TABELAT - RUSSIA 2018
Gjermanët më shumë i dëmtonte edhe presioni, dhe me një gol të hershëm ndaj koreanëve mund të këndellen, përndryshe një pjesë e parë pa gola do të mund t’i fuste në telashe po aq sa një gol i koreanëve!
E diela
Grupi H është bërë më i paqarti i kësaj Kupe pas xhirosë së parë. Do të jetë interesante beteja ndërmjet Japonisë e Senegalit, ku fitorja do t’i dërgonte në rrethin e dytë. Fitorja është kusht për t’i mbajtur në lojë dy favoritët e këtij grupi, Poloninë e Kolumbinë në ndeshjen e mbrëmjes. Ndërkohë në drekë, anglezët do të duhej të shfaqnin më shumë disiplinë në lojë kundër Panamasë se sa ndaj Tunizisë. Nuk mjaftojnë vetëm Trippier, Maguire, e Kane kësaj radhe.