GARDIANI KUQEZI
Berisha nuk i druhet portugezëve
6 September, 2015 @12:40
Njëri ndër më meritorët që Shqipëria u kthye me një pikë në shtëpi nga udhëtimi në Danimarkë, ishte pikërisht portieri i kombëtares sonë, Etrit Berisha.
Gardiani kuqezi në intervistën e tij për gazetën Panorama Sport, foli për “barikadën përballë tij” në ndeshjen ndaj Danimarkës të krijuar nga mbrojtësit e kombëtares, derisa për ndeshjen ndaj Portugalisë ka folur me optimizëm, duke shtuar se nuk i druhet Cristiano Ronaldos dhe shokëve të tij.
“Në pjesën e dytë, ata patën një ritëm më të lartë se ne dhe kërkuan të shënonin me çdo kusht. Krijuan edhe disa mundësi, por fatmirësisht ne nuk u ndëshkuam.
Cana dhe Ajeti ishin shumë mirë. Madje, më mirë sesa e prisja. Pavarësisht se nuk kanë luajtur shumë me njëri-tjetrin në Kombëtare, arritën të zhvillojnë një ndeshje të jashtëzakonshme. Mendoj se kanë bërë një punë të madhe ndaj Danimarkës dhe sigurisht që më kanë ndihmuar edhe mua.
Xjimshiti? Ishte ndeshja e tij e parë dhe luajti mjaft mirë. Mendoj se tregoi që është një futbollist me mjaft potencial. Tani na pret Portugalia, por ne nuk i druhemi askujt,” ka thënë Berisha, shkruan Panorama Sport.
Shqipëria do të përballet nesër (e hënë) përballë Portugalisë në stadiumin Elbasan Arena.