MANCHESTER CITY
Bersant Celina, i paprekshëm tek City
13 February, 2016 @13:14
Fatkeqsisht Manuel Pellegrini nuk do të mund të shfrytëzojë “frytet” e punës së tij që bëri me talentin Bersant Celina, pasi që kiliani do të largohet në fund të sezonit dhe në krye të Cityt do të vijë Pep Guardiola.
Kështu fillon artikulli i tabloidit britanik Daily Mail, i cili raporton që Pellegrini nuk e ka lejuar huazimin e Bersant Celinës në janar, përkundër faktit që për të erdhën disa oferta, njëra prej tyre raportohet të ketë qenë nga gjigandi skocez Celtic. Pellegrini ka bllokuar çdo largim të reprezentuesit të Përfaqësueses së Kosovës, duke bërë me dije që 19-vjeçari ka potencial për t’u bërë startues tek skuadra e Manchester Cityt dhe shumë shpejt pritet zgjatja e kontratës së tij.
Bisedimet për një kontratë të re 5-vjeçare kanë filluar dhe Daily Mail shkruan që Celina mund të jetë startues në ndeshjen ndaj Chelseat javën e ardhshme në kuadër të FA Cup. Po ashtu ky tabloid shpjegon faktin që Celina me familjen e tij u larguan nga Kosova për shkak të luftës dhe emigruan në Norvegji, aty ku edhe filloi karriera e lojtarit. Ai fillimisht ishte pjesë e kombëtares norvegjeze U21 por më pas e pranoi ftesën e Përfaqësues së Kosovës, ku edhe është pjesëtar i rregullt i skuadrës startuese.
Tek City, Celina erdhi nga skuadra norvegjeze Stromsgodset në moshën 15-vjeçare dhe në ngritjen e tij si futbollist ndikim të madh pati francezi Patrick Vieira, i cili ishte trajner i skuadrave zinxhirë të Manchester Cityt.