LUANI (B)ANALIZON
Qikat dhe futbolli!
Shkruan: Luan MORINA
14 February, 2016 @9:45
Njerëzit janë paragjykues. Sidomos ne shqiptarët që nuk dallojmë shumë nga ballkanasit dhe popujt e Lindjes së Afërt. Kemi qejf ti ndajmë punët e ‘burrave’ dhe punët e ‘grave’. Në mesin e punëve të burrave është të dalin në kafenenë më të afërt për të parë ndeshjen e futbollit, të pinë birra e duhan, të shajnë sa lojtarët e tyre, sa kundërshtarët e tyre deri sa shikojnë një ndeshje futbolli. Në të njëjtën kohë, gruaja duhet të jetë e strukur në shtëpi duke shikuar ndonjë telenovelë spanjolle, apo serial turke, duke pirë kafe me shoqet e saja, derisa bartin llafe për shoqet tjera që nuk janë prezentë. Filozofi e thjeshtë!
Kjo ndasi ekziston e ngulitur në mendjen e shumicës gjatë ndeshjes të futbollit. Ndasitë tjera vazhdojnë edhe në sferat tjera të jetës. Por, do të përqendrohemi tek futbolli.
Ronaldo e Messi
Një ndër paragjykimet më të mëdha për qikat është që ato janë ose fanse të Ronaldos, ose Messit, ose dikujt tjetër që duket bukur derisa luan futboll. Por, kjo nuk vlen vetëm për qikat. As meshkujt nuk janë më ndryshe. Ka shumë veta që e duan Barcelonën apo Realin për shkak se është njëfarë kulti për të dashur këto ekipe. Pastaj të dyja kanë lojtarët më të ‘bukur’ në botë, fitojnë thellë në ligën ‘më të fortë’ në botë, etj. Ky grup i fansave nuk është ekskluziv vetëm për qika. Përkundrazi ka më shumë djem se qika që gjenden në këtë grup të fansave. Arsyeja është e thjeshtë – nëse një qikë vendos të merret me futboll, ajo do ta studioj më shumë se sa vetëm të marr një lojtar apo një ekip që të jetë ‘in’. Derisa djemtë duhet të marrin një ekip e një lojtar sa për sy e faqe, që të mos ‘përjashtohen’ nga shoqëria.
Kategorizimi
Fjalën kategorizim e urrejmë që nga koha e ABC-së së KEK-ut!!! Njëjtë sikur ai kategorizim i KEK-ut, të kategorizosh fansat e futbollit, sportit në përgjithësi në bazë të gjinisë është nënçmim, ofendim, diskriminim, e çkado që ta quani s’do të gaboni.
Le ti ndajmë fansat në ata të lojtarit, ekipit, ligës, futbollit. Këta të fundit janë fansat e vërtetë që nuk janë të lidhur vetëm për një ekip, apo një ligë. Njohuritë për futbollin nuk kanë kufij territoriale apo kompetitive. Në mesin e këtyre fansave ka edhe shumë qika.
Ka qika që dinë për futbollin më shumë se ‘burrat’. Ka qika që të tregojnë legjendat e ekipeve të tyre, që të japin vështrime mbi gjenerata të ndryshme të ekipeve e kombëtareve të ndryshme. Ka qika që dashurojnë ekipin e tyre më shumë se shumë ‘burrat’. Ka qika që të dielën preferojnë të shohin Arsenalin, Liverpoolin, Milanin, Interin, Bayernin, Barcelonën se sa të dalin për një festë komercialiste. Të dielën luan edhe Manchester City, ama ata nuk kanë fansa!
Qikat
Një qikë që do futbollin nuk është fenomen si eklipsi i diellit. Qikat që duan futbollin janë me shumicë. Këto qika nuk janë të turpëruara për këtë fakt, të ju tregojnë të gjithëve që futbolli është i lejuar edhe për qikat. Ndoshta është menduar si ekskluzivitet i ‘burrave’, por futbolli është i të gjithëve që e duan. Nuk është i dikujt, ngjashëm si ekipi për të cilin bëjnë tifo djem e qika.
Futbolli është diçka që dashurohet. Diçka që guxojnë ta dashurojnë edhe qikat. Diçka që dashurohet çdo ditë të vitit, të jetës. Diçka që nuk ka një datë të caktuar për tu festuar si kjo e diele. Diçka që festohet çdo të diele të vitit, çdo të shtune, çdo të mërkure, e çdo ditë tjetër të javës.
Qikat e duan futbollin. Çdo ditë e më shumë numri i tyre po rritet. Edhe pa fije marre këto qika dalin në kafenenë më të afërt, pinë birra, dhe shprehin pakënaqësinë me lojtarët e ekipit tyre. Sepse të jesh qikë që e do futbollin nuk është marre.