COPPA ITALIA

Beteja e parë, i takon Romës
5 February, 2014 @22:52
Pa Juventusin, Milanin e Interin, skuadra e Romës duket të jetë më afër trofeut të Kupës së Italisë, mirëpo, fitorja e sontme 3-2 ndaj Napolit, nuk i jep atyre gjumë të rehatshëm para duelit të dytë, atij të kthimit në San Paolo.
Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Gervinho, ka qenë njeriu kryesor i fitores së Romës sonte, i cili ka shënuar golin e parë dhe të fundit në ndeshje në fitoren e ekipit të Rudi Garcias.
Derisa Roma udhëhiqte 2-0, Napoli ka gjetur forcë për rikthim në pjesë të dytë për të barazuar 2-2.
Mirëpo, pas një asistimi të Alessandro Florenzit dy minuta pa përfunduar takimi, Gervinho ka shënuar për t’ia sjellë fitoren ekipit të tij.
Për Napolin, sonte është kthyer në fushë pas lëndimit kosovari Valon Behrami që është inkuadruar në minutën e 84-të të ndeshjes, në humbjen e ekipit të tij.
Napoli sot një javë pret Romën në fushë të vetë në ndeshjen e kthimit për të kërkuar finalen e Kupës së Italisë.