PAS NJË KOHE TË GJATË NDAJNË RRUGËT
Burim Qerkini ndahet me Dinamon
5 March, 2024 @14:18
Trajneri që arriti sukses të madh me ekipin e Dinamos, Burim Qerkini ka bërë të ditur përmes një njoftimi në llogarinë e tij personale të Facebookut se ka ndarë rrugët me klubin.
“Me këtë postim ju njoftojmë për nderprerjen e bashkëpunimit nga FC Dinamo. Pas një periudhe reflektimi dhe vlerësimi të thellë, kemi marrë vendimin për të ndërprerë marrëdhënien tonë profesionale me klubin. Dëshirojmë të falënderojmë stafin dhe lojtarët për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm gjatë kësaj kohe. Gjithashtu, ju dëshirojmë sukses të madh në të ardhmen dhe ju inkurajojmë të vazhdoni të punoni fort drejt qëllimeve tuaja. Me respekt, Burim Qerkini, Fatos Ademi.” - ka shkruar Qerkini në njoftimin e tij të përbashkët me ndihmësin Ademi.
Përndryshe, Qerkini mori Dinamon në Ligë të Dytë të Kosovës. E ngriti në Ligë të Parë. Aty, ka pasur një vjeshtë senzacionale duke rreshtuar fitore dhe duke kapur që nga xhirot e para vendin e parë dhe duke mos e lëshuar atë deri në fundjavën që e lamë pas.
Krejt kjo, pas tre ndeshjeve të pranverës, ku ekipi nuk arriti të shënojë asnjë fitore dhe kështu humbi lidershipin e Ligës së Parë - Grupi A, të cilën e mori Suhareka.
Përfoljet kanë nisur, ndërsa vendin e Qerkinit te Dinamoja pritet ta zë trajneri i mirënjohur, Bylbyl Sokoli. Sidoqoftë, deri tash Dinamoja nuk ka dhënë njoftim zyrtar as për largimin e Qerkinit nga detyra e as për emërimin e trajnerit të ri të tyre.