FITORJA E PARË PRANVERORE!
Vllaznia merr fitoren e parë pranverore dhe del nga fundi i tabelës
3 March, 2024 @23:01
Fitore shumë e rëndësishme për Vllazninë e Nazmi Ramës sot. Ekipi nga Pozharani ka arritur të shënojë fitoren e parë pranverore duke fituar ndeshjen ndaj Ramiz Sadikut dhe me këtë fitore ka dalë nga fundi i tabelës. Kjo edhe ka qenë fitorja e parë e trajnerit Rama me ekipin e tij të ri.
E fitorja, ka ardhur me insistim të madh të vendasve, që e nisën furishëm ndeshjen dhe shpejt arritën te golat, për të bërë rezultatin 2-0 pas 45 minutash lojë. Deri në fund, shënuan edhe njëherë për të siguruar tre pikët, Vllaznia - Ramiz Sadiku 3-0 [Ernis Topalli 1’, Elbasan Jakupi 36’, Omer Shemsiji 82’].
Pas golit të hershëm të Topallit, ka qenë kapiteni Jakupi që ka shënuar bukur nga gjuajtja e lirë për 2-0. Ramiz Sadiku tentoi dy herë për të bërë diçka, por pjesa e parë nuk ndërroi rezultat.
Edhe në pjesë të dytë prishtinasit u munduan, por pa ndonjë rast konkret, derisa në fund, pas një gabimi të mbrojtjes ka qenë Shemsiji që merr topin dhe duke shutuar me volej nga afërsia prëcaktoi përfundimtaren.
Vllaznia me këtë fitore ka dalë në pozitë të nëntë të renditjes tabelare dhe tash ka 14 pikë nga 17 ndeshje. Ramiz Sadiku është i pesti me 21. Në duelet e fundit të ciklit të dytë të ndeshjeve të Ligës së Parë, Vllaznia i shkon Ulpianës, ndërsa Ramiz Sadiku pret lideren, Prishtina e Re.