EDHE ZYRTARISHT, SOKOLI 65 VJEÇ MERR TIMONIN E DINAMOS
Bylbyl Sokoli merr drejtimin e Dinamos
8 March, 2024 @16:08
Dinamoja e Ferizajit ka zyrtarizuar sot trajnerin e ri të ekipit. Ashtu siç u përfol ditë më parë, Bylbyl Sokoli është emri i zyrtarizuar nga klubi, ndërsa trajneri me përvojë dhe profesori i UP-së, do të merr timonin e skuadrës dhe do të nis misionin e tij menjëherë. Sokoli ka përvojë të madhe si trajner, ndërsa zotëron licensën PRO të UEFA-së.
“Trajner Bylbyl Sokolit, i kemi besuar programit të tij dhe nga sot është emëruar si kryetrajner FC Dinamo. I njohur për dedikimin dhe profesionalizmin e tij, janë disa prej karakteristikave të tij ku edhe është i gatshëm për sfidat të cilat na presin së bashku Trajner Bylbyl Sokoli është i pajisur me licencën UEFA Pro.” - ka shkruar njoftimi i FC Dinamos pak më parë.
Kujtojmë, ekipi i Dinamos erdhi nga Liga e Dytë në Ligë të Parë të Kosovës këtë stinor 2023/24. Klubi në fjalë me organizimin që kishte arriti pikë të rëndësishme që në stinorin debutues dhe tashmë po shikon mundësinë që të shkojë drejt Superligës shpejt.
Dinamoja ka qenë lidere prej muajit të parë të stinorit në Ligë të Parë - Grupi A dhe deri në xhiron e XVII, kur kreun e mori Suhareka. Bardhekaltërit nga qyteti i Ferizajit suksesshëm deri tash u drejtuan nga Burim Qerkini, që i kishte shpier nga Liga e Dytë në të Parën. Qerkini u largua në xhiron e kaluar nga detyra e tij.
Dinamo nuk ka fituar asnjë ndeshje në pjesën pranverore të stinorit. Në xhiron e radhës, XVIII, është fundi i ciklit të dytë të ndeshjeve dhe Sokoli 65 vjeç do të drejtoj ekipin në duel ndaj Rilindjes 1974.
Pas kësaj xhiroje, deri në fund të stinorit sipas sistemit të Bergerit mbesin edhe nëntë xhiro përfundimtare për tu kryer stinori. Vendi i parë në Ligën e Parë - Grupi A siguron Superligën 2024/25, ndërsa vendi i dytë aty luan ndeshje barazhi me vendin e dytë të Ligës së Parë - Grupi B. Nëse e kalon këtë, luan ndeshjen playout me ekipin e tetë të pozicionuar në Superligë, për të kërkuar biletën për elitë ashtu që të arrijë në stinorin 2024/25 të jetë pjesë e Superligës.
Për Dinamon, ky do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm.