MJEKËSI SPORTIVE

Burn Out apo ‘djegia e sportistit’
Shkruan: MA Arianit Krasniqi PT
22 November, 2017 @17:59
Në kohët moderne tashmë ekzistojnë apo përballemi me ‘sëmundje’ ose problematika moderne, nëse mund t’i quajmë, e që mund të llogariten edhe si bazë e sëmundjeve më serioze të karakterit fizik e psiqik.
Le të fokusohemi tek futbolli.
Shumë kompeticione, shumë ngarkesë dhe kërkesa për të arritur qëllimet tashmë ‘biznesore” të klubeve kanë krijuar edhe ‘robotë’ për të përmbushur dëshirat e një klike ekonomike. Ndeshjet kampionale, ndeshjet për trofetë, ndeshjet ndërkombëtare, të gjitha këto kanë krijuar një shkencë mjekësore që merret me studimin e fizikusit të lojtarit.
LËNDIMET - REHABILITIMI I HERSHËM APO I VONSHËM
Burn Out, çka është?
Keni dëgjuar për lojtarë që tashmë nuk ka motivin për lojë? Ka shumë lëndime, prezente ose të shpikura nga vetë ai? Ndjen dhimbje të përgjithshme trupore? Lodhje kronike? Mosinteresim për sportin përkatës? Demotivim total? Mbyllja në vete? Akuzimi i parreshtur i bashkëlojtarëve për gabimet apo dështimet e tij? Janë vetëm disa nga faktorët apo shenjat që mund t’i vëreni tek një lojtar i cili tashmë gjendet në fillet e fazave të Burn Out.
Kush luan rol në paraqitjen e Burn Out tek sportisti?
- Prindërit dhe kërkesat e tyre nga fëmiu i tij duke kërkuar rezultate që përmbushin dëshirat e tyre vetanake.
- Trajnerët dhe presioni i pakompromis për të arritur rezultatet në qëllimet e klubit.
- Bashkëlojtarët dhe akuzat e shpeshta për formën e dobët që mund të ketë lojtari në një fazë të kampionatit.
- Forma e dobët + presioni nga jashtë sjellin vetë akuza deri në shkallën që krijon dyshime nëse është i denjë për të qenë pjesë e grupit, sportit, shoqërisë dhe vetë jetës.
Si mund të evitohet Burn Out për të mos eskaluar në fazat finale dhe fatkeqe?
- Ndihma nga ana e psikologut është faktori bazë e që qëllim ka ri-integrimin në shoqëri dhe rikthimin e dëshirës për sportin përkatës.
- Pauza nga sporti dhe krijimi i një plani adekuat nga ana e trajnerit dhe stafit për ta përgatitur për rikthimin e sërishëm.
- Përkrahja e familjes, shoqërisë dhe bashkëlojtarëve.
- Vizita e qendrave relaksuese dhe rekreacionale.
Përfundim: Burn Out në botën e emancipuar tashmë duhet të ketë një vëmendje dhe çasje profesionale si problematikë në vete, sidomos tek lojtarët e rinj apo në zhvillim e sipër, meqë ndikimi i faktorëve negativ dyfishohet. Edukimi i shoqërisë dhe stafit punues në klube janë baza e identifikimit dhe shmangies së problematikës në fjalë.
Njëherë Patrick Viera kishte thënë: “Ndihem i shkatërruar nga lodhja. Nuk ka vend në trup që nuk kam dhimbje”. Francezi ishte nga lojtarët më të mirë me gjithsejt 66 ndeshje atë edicion duke shmangur lëndimet por në sezonin pasues ishte nga më të dobëtit me formën e treguar.
Jeta nuk është vetëm sport. Duhet ta ndjesh dhe duash sportin, që të jesh pjesë e tij, përndryshe….