LIGA E KAMPIONËVE

Italianët vs. Spanjollët për rrethin eliminator
22 November, 2017 @16:03
Dy duele ndërmjet ekipeve italiane dhe spanjolle do të mund të përcaktojnë kualifikuesit për fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve.
Në grupin C, Roma udhëton në Madrid, ku në ‘Wanda Metropolitano’ edhe një pikë e vetme ndaj Atleticos do t’i mundësonte sigurimin e fazës së dytë. Dueli i parë në ‘Olimpico’ kishte përfunduar pa gola. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, prej orës 18:00, Chelsea është mysafir i Qarabagut.
Barcelona u ishte hakmarrë nënkampionëve aktual të Evropës duke i mposhtur me rezultat 3-0. Në ndeshjen e kthimit, katalunasit do të provojnë të sigurojnë pozitën e parë ndaj Juventusit, të cilët janë tri pikë para Sportingut të Lisbonës. Portugezët ndeshen me Olympiacosin në ndeshjen tjetër të grupit D.
Në grupin B ka mbetur të përcaktohet vetëm pozita e parë, me PSG që presin Celticun. Bayern udhëton në Belgjikë kundër Anderlecht.
Ndeshja tjetër me fillim në ora 18:00, është ajo në Moskë ku CSKA pret Benfican. Portugezëve iu nevojitet patjetër fitorja dhe një matematikë e thukët pos humbjes së Baselit nga Manchester United për të gjetur kualifikimin në fazën e dytë. Anglezëve ju nevojitet vetëm një pikë e vetme për të siguruar pozitën e parë.