GARY CAHILL VAZHDON KONTRATËN

REUTERS/Arkiv
Cahill, vazhdon me Chelsean
2 December, 2015 @21:37
Gary Cahill, 29 vjeç, ka vazhduar kontratën e tij me Chelsean edhe për katër vjet të tjera, ka bërë të ditur sot BBC Sport në një njoftim.
Mbrojtësi anglez prej se erdhi nga Bolton Wanderers për 7 milionë funta në janar të vitit 2012 te Chelsea, ka pasur 177 paraqitje me të kaltërit e Londrës.
“Kam arritur shumë gjëra me këtë klub dhe shpresoj të vazhdoj të mësoj, të ndihmoj klubin dhe të fitoj trofe në 4 vitet e ardhshme. Jam me të vërtetë i kënaqur ta vazhdoj të ardhmen time tek Chelsea dhe jam i lumtur që klubi ka besim tek unë,” tha qendërmbrojtësi anglez, i cili me skuadrën londineze ka fituar Premier League-në, Kupën e Ligës, Champions Leaguen dhe Kupën FA.
Për kampionët në fuqi, të cilët këtë sezon po kalojnë një formë jo të mirë dhe gjenden në pozitën e 14-të pas 14 ndeshjeve, Cahill këtë sezon është paraqitur në 10 ndeshje kampionale. Po ashtu Cahill ka qenë pjesë e skuadrës së vitit në Premier League në stinorët 2013/2014 dhe 2014/2015 dhe ka 40 paraqitje për përfaqësuesen angleze.