KONFERENCA E FUNDTI SI TRAJNER
Challandes falenderon të gjithë! Vendimi jo i kënaqshëm
13 October, 2021 @14:16
Ndeshja e mbrëmshme ishte e fundit për Bernard Challandesin si selektor i Kosovës në futboll. Pas startit të suksesshëm dhe periudhës me rritje, me pandeminë edhe ekipi i Kosovës nisi të merr uljen, për të përfunduar dje në pozitë të fundit të Grupit B, me humbje ndaj Gjeorgjisë në shtëpi, 1-2.
Sot me një konferencë të jashtëzakonshme për media, kreu i FFK-së Agim Ademi bëri të ditur se kanë shkëputur kontratën e zviceranit për mosarritje të objektivave. Ndërsa kur mori fjalën, Challandes pos falenderimit për të gjithë, për kohën e kaluar te Kosova, ka thënë se nuk është i kënaqur me vendimin e sotëm të kreut të FFK-së, pasi që objektivat ishin mbështetur te edicioni i radhës i Ligës së Kombeve, ndërsa është shprehur të jetë i kënaqur me lojën që po e bën Kosova.
Challandes pritej të shkarkohej në fund të ciklit kualifikues për Botërorin e Katarit, në nëntor. Mirëpo, humbja e 12 tetorit përshpejtoi gjithçka dhe tashmë Kosova do të mbetet në dorë të ndihmësve kosovarë të zvicerani, nëse shpejt nuk gjindet një selektor i ri.
Aktualisht po përfolet se Kosovën do ta drejtojë një trajner gjerman ose francez. Por, gjithçka mbetet të shihet me kohë, derisa FFK-ja të thotë fjalën e fundit. Ende pa ia nisur konferenca, Challandes është dëgjuar duke thënë, më shumë media të interesuara për tregime që s’kanë të bëjnë me ndeshjen e futbollit.
“Isha i lumtur me këtë punë dhe krenar me punën që e kemi bërë. Si selektor kam kaluar kohë shumë të mirë te Kosova dhe i falenderoj të gjithë, duke nisur nga Federata e deri te lojtarët dhe stafi,” ka thënë Challandes.
TABELA AKTUALE E KUALIFIKIMEVE PËR “KATAR 2022”
Sipas tij, loja e Kosovës është ngritur në vite ndërsa presioni i rezultateve gjithmonë ka qenë aty, duke ditur çfarë ekipi ka pasur në duar.
“E kuptoj se rezultatet duhen, por nuk pranoj se ato duhen patjetër. Veçanërisht kur kemi pasur një grup të fortë si ky. Presioni i madh nga thuajse i gjithë shteti nuk ka qenë i lehtë për Federatën,” ka shtuar ndër të tjera selektori i deritashëm i Kosovës.
Kosova prej kur u pranua në UEFA e FIFA ka pasur selektor së pari Albert Bunjakin, ndërsa Challandes ka qenë i dyti. Derisa vjen trajneri i tretë në krye të ekipit, Challandes pos tjerash ka falenderuar secilin në Kosovë për ndjenjat e shfaqura ndaj kombëtares, ndërsa shpreson që në të ardhmen të vijë t’i ndjek ndeshjet tjera të Kosovës.
Ai gjithashtu ka theksuar rënien e rezultateve që ka ardhur pas PlayOffit për EURO2020, duke theksuar tre mungesat e mëdha në atë ndeshje: Rrahmani, Rashica e Muriqi.
E momentet e mira që i kujton…
“Koha e kaluar me lojtarët, bashkëpunimi me Federatën. Dueli me Azerbajxhanin, sepse atëherë isha trajner i mirë kur shënuam katër gola, ndërsa tash nuk jam trajner i mirë sepse nuk po arrijmë të shënojmë. Ndeshja me Anglinë kur shënuam, fitorja ndaj Çekisë, ajo ndaj Bullgarisë si mysafir. Duhet të jeni krenar me këtë ekip, sepse unë jam krenar me punën e bërë këtu. Kosova ka të ardhme, ky ekip ka të ardhme,” ka thënë në fund Challandes duke bërë të ditur gjithashtu që i jep fund karrierës së tij edhe si trajner me kaq.