PARASHIKIM
Championship 2016/17
Shkruan: Luan MORINA
5 August, 2016 @19:03
Edhe pse sezoni i ri i futbollit në djepin e kësaj loje zakonisht nis me Community Shield – një emër tjetër për Superkupën e Anglisë, sonte është ndeshja e parë në futbollin profesionist të Anglisë.
Liga që ka po qa trajnerë fitues të Ligës së Kampionëve se La Liga, Serie A, e Ligue 1 së bashku pritet të ofroj një sezon jashtëzakonisht interesant, kryesisht për faktin se kontrata e re e të drejtave televizive – edhe pse goxha më e ulët se ajo për Premier League; nis këtë sezon, si dhe ekipe me renome në futbollin anglez do të provojnë të kthehen në ligën më të mirë në botë.
Po të numërojmë edhe titujt e babait të trajnerit të Burtonit atëherë Championship do të ketë më shumë tituj edhe se vet Carlo Ancelotti.
Për të luftuar për një sezon që sjell rreth 200 milionë euro në Premier League, në mesin e favoritëve këtë vit shihen ekipet e trajnerëve kampionë të Evropës. Personalisht nuk besoj që Roberto Di Matteo ka atë çfarë i duhet për të këndellur një ekip të mbushur me bërllog francez të sjell nga Remi Garde. Pronarët e ri nuk janë treguar shumë entuziast në sjelljen e talenteve të rinj, dhe dyshoj që Ross McCormack mund të bëj diferencën i vetëm.
Më mirë i kanë punët Newcastle United që kësaj radhe do të duhet të provojnë të kthehen në Premier League pa ndihmën e Alan Shearer. Shitja e Wijnaldum për dyfishin që kanë paguar, e edhe largimi eventual i Moussa Sissokos nuk pritet të bëj problem në misionin e tyre kur dihet se kanë sjell Dwight Gayle, Jesus Gamez, e Isaac Hayden.
Pas këtyre dyjave favoritë konsiderohen Brighton që kanë sjellë Glenn Murray dhe Derby që do të provoj fatin përsëri, kësaj radhe me Nigel Pearson. Mos harroni emrin e Will Hughes.
Norwich City nuk ka arritur qëllimet e verës duke humbur Nathan Redmondin dhe dështimit për të blerë sulmues klasi. Për këtë arsye ekipin e Alex Neil nuk e shoh në mesin e favoritëve për ngjitje në Premier League.
Në mesin e ekipeve që mund të befasojnë nga jashtë janë emrat e njohur edhe në arenën evropiane – Fulham dhe Leeds. Ekipi i Massimo Cellinos më në fund ka gjetur një trajner i aftë për të korrur suksese në një ekip me lojtarë mediokër si Leeds United (si presidenti si lojtarët më). Ndërkohë Fulham pas disa dështakëve kanë gjetur serbin Slavisa Jokanovic, tashmë me përvojë për të kthyer ekipe në Premier League – Watford para dy sezoneve.
Edhe dy trajnerë interesant janë në luftë për një pozitë në playoffs. Jaap Stam debuton në këtë zeje me Reading, derisa Jimmy Floyd Hasselbaink tashmë ka përvojë më shumë se fillestare si trajner, por zor që mund ta kthej QPR në elitën e futbollit anglez.
Nuk pres Walter Zenga të përfundoj sezonin me Wolves të cilët shihen si favorit përkundër largimit të Mick McCarthyt tek Ipswich. Gjithashtu zor që Will Grigg do të mund të ngjet edhe një divizion më lart Wiganin.
Futboll atraktiv, rezultate të paparashikuara, trajnerë me renome, tifozë besnik e bëjnë Championshipin njërën nga ligat më të mira në botë, përkundër që është divizion i dytë. E ky sezon pritet të jetë më i miri deri më tani.