DINAMO VAZHDON ME FITORE!
Chibueze vendos! Sokoli vazhdon me fitore dhe ruan kreun
15 March, 2024 @15:27
Nigeriani i Dinamos, Henry Chibueze, është treguar të jetë njeriu i ndeshjes në përballjen që ekipi i Bylbyl Sokolit e fitoi ndaj Phoenixit të Faruk Statovcit minimalisht për të marrë tri pikë të reja dhe për të ruajtur kreun e Ligës së Parë — Grupi A, së paku edhe për një xhiro.
Chibueze u gjet mirë në zonë, kur Almedin Klinaku krosoi nga gjuajtja e lirë dhe shënoi për epërsinë e ekipit të tij. Në pjesë të dytë derisa Phoenix kërkonte të barazonte, Dinamoja gjeti shumë hapësira dhe pati raste ideale për të shënuar, kur Dren Gashi (61’) së pari, pastaj Kenan Orana (83’) e më pas edhe Chibueze (85’) nuk realizuan!
Sokoli largoi pas këtyre rasteve të humbura edhe Gashin e Chibuezen. Ndërkaq portier i Phoenixit mori karton të kuq, pasi që referi kryesor i duelit Rrezart Hasanaj vlerësoi që ai preku topin me dorë jashtë zonës. Mirëpo, VAR vërtetoi të kundërtën dhe Hasanaj tërhoqi kartonin e kuq. Në fund, Dinamo - Phoenix 1-0 [Henry Odi Chibueze 41’].
Në minutat e fundit rrjetat nuk u tundën, ndërsa Dinamoja me Sokolin shënoi fitoren e dytë në dy ndeshjet sa është trajner ai dhe ruajti kreun e renditjes tabelare.
Dinamo është e para në Ligën e Parë - Grupi A me 37 pikë nga 19 ndeshje, ndërsa Phoenixi me 15 pikë, është i fundit në renditje (i dhjeti).