FITORE E MUNDIMSHME, POR ARRIHET KREU
Prishtina e Re rimerr kreun sot me përmbysje ndaj Vllaznisë
16 March, 2024 @19:54
Nuk ka qenë fare lehtë përkundër dominimit në posedim për Prishtinën e Re ndeshja e sotme ndaj Vllaznisë që po lufton për mbijetesë. Dy ekipet që po luftojnë për ekstreme të kundërta në Grupin B të Ligës së Parë, kanë zhvilluar një përballje interesante, ndërsa në fund, u gëzuan vendasit që kërkuan gjatë gjithë ndeshjes fitoren.
Por, loja nisi ndryshe sa i përket rezultatit. Mysafirët morrën epërsinë pas një korneri, kur Vllaznia shënoi për 0-1! Kjo bëri që Prishtina e Re e drejtuar nga Elon Berisha të kërkojë edhe më shumë golin, por rastet nuk shndërroheshin në gol, derisa pak para fundit të pjesës së parë Kreshnik Bahtiri realizoi bukur për barazim!
E në pjesë të dytë, ka qenë dominim i plotë i vendasve por për golin e fitores ekipi i Prishtinës së Re u desht të “vuajë” deri kah minutat e fundit, kur në të 80-tën shënoi Dobratiqi për fitore. Prishtina e Re - Vllaznia 2-1 [Kreshnik Bahtiri 42’, Lorik Dobratiqi 80’ - n.n. 33’].
Prishtina e Re kështu merr kryesimin e Grupit B të Ligës së parë, së paku sot, me 43 pikë nga 19 ndeshje dhe pret gabimin e Ferizajit në formë për të mbetur në krye. Vllaznia e parafundit (e nënta) ka 14 pikë nga 19 ndeshje dhe shpreson që të mos bie në fund të renditjes me përfundimin e xhiros.