JUVENTUS
Chiesa i palëkundur
13 July, 2021 @14:03
Që kur është transferuar tek klubi i Juventusit ai ka qenë lojtari kryesor. Njësoj qëndron edhe sot, pas ardhjes së menaxherit të ri të Juve, Massimiliano Allegri.
Federico Chiesa, djali i ish-futbollistit italian, Enrico Chiesa, anëtari i Juventus, ka shkëlqyer edhe përgjatë “EURO 2020”. Ai shënoi dy herë, për t’u shpallur kampion me kombëtaren e Italisë, trofe i cili iu mungonte italianëve që nga viti 1968. Ndërsa gjeti vend edhe në ekipin më të mirë të turneut EURO 2020, pasi që u përfshi në treshen e sulmit bashkë me Romelu Lukakun dhe Raheem Sterlingun.
Çmimi i anësorit italian para fillimit të “EURO 2020”, ka qenë 60 milionë euro, ndërsa pas performancës së tij të shkëlqyer tek kombëtarja e Italisë, çmimi i tij ka shënuar një ngritje, nga 60 në 80 milionë.
Për 23-vjeçarin janë të interesuara shumë klube, sidomos pas “EURO 2020”, por drejtuesit e klubit nga Torino kanë bërë me dije se nuk kanë ndërmend që ta nxjerrin atë në shitje.
Chiesa, është pjesë e klubit të Juventusit, që nga 2020, ku u transferua nga Fiorentina, ndërsa për bianconerët, ai ka zhvilluar 38 ndeshje dhe ka shënuar 14 gola gjithsej.