PAS NDESHJES
De Biasi flet pas humbjes me Italinë
24 March, 2017 @23:20
Pas humbjes ndaj Italisë, për TVSH-n foli Gianni De Biasi, përzgedhësi i Shqipërisë.
“Kur luan me skuadra elitare si Spanja e Italia, është e vështirë ta gjesh golin. Mendoj se sonte bëmë një ndeshje mjaft të mirë. Kundërshtari nuk e priste një sistem të tillë loje nga ana jonë dhe mendoj se i vumë në vështirësi, por duhet të kishim shkuar deri te goli.
Ishim të organizuar dhe nuk u shpërqendruam asnjëherë. Kishim lojtarë që nuk janë aktivizuar mjaftueshëm në ekipet e tyre, megjithatë paraqitja e ekipit ishte e mirë. Kemi humbur një ndeshje të pranueshme për nga mënyra si shkoi. Italia është kundërshtar i fortë dhe humbja ndaj tyre pranohet.
Absolutisht nuk do ta kisha ndryshuar formacionin nëse do të kisha mundësi. Lilën e vendosa në fushë pasi në atë krah Italia sulmonte shumë dhe duhej një lojtar fizik e vrapues. Donim të gjenim barazimin, për të provuar më pas t’i befasonim me lojtarë të shpejtë si Grezda, Llullaku apo Latifi. Gjatë lojës luajtëm me tre rreshtime, 3-4-2-1, 4-3-1-2 dhe 4-1-3-2.” - deklaroi De Biasi pas humbjes.