PREMIER LEAGUE
De Bruyne mungon kundër Aston Villa, në dyshime për PSG
19 April, 2021 @18:14
Mungesa e Kevin De Bruyne kundër PSG nuk është zyrtare, por shanset e playmakerit të Citizens për të luajtur në Parc des Princes pas nëntë ditëve po zvogëlohen. Ndërkohë, ai mund të mungojë edhe në finalen e Carabao Cup në fundjavë ndaj Tottenhamit.
29-vjeçari u lëndua, pas një dueli me N’Golo Kanté, në gjysmëfinalen e FA Cup, të humbur nga Manchester City ndaj Chelsea (1 -0) të shtunën.
Manchester City konfirmoi lëndimin e belgut në një deklaratë të lëshuar të hënën dhe njoftoi mungesën e tij kundër Aston Villa në kampionatin anglez të mërkurën.
“Kohëzgjatja e lëndimit nuk dihet ende, Kevin do të vazhdojë të kontrollohet, por do të humbasë udhëtimin në Premier League të mërkurën në Aston Villa. Ne do t’ju njoftojmë për gjendjen e tij në kohën e duhur”, thuhej në deklaratë.
Ky lëndim mund të ndikojë në disponueshmërinë e tij për gjashtë ndeshjet e mbetura të Cityt në Premier Ligë dhe ndeshjet e tjera në Champions League e Carabao Cup.
Forma e belgut ka qenë thelbësore për Pep Guardiolan drejt titullit në Premier League, ku ai shënoi 5 gola dhe dhuroi 11 asistime në 24 ndeshje.