NË SKËNDERAJ
Derbi drenicak i Feronikelit
17 September, 2016 @16:56
Ndeshja e vetme e ditës në Superligë, ku u ndeshën skuadrat e Drenicës dhe Feronikelit, përfundoi me fitoren e kësaj të fundit.
Ekipi i Afrim Tovërlanit ka regjistruar fitoren e tretë rresht duke e mposhtur me rezultat 1-2 rivalin fqinj.
Vendasit ishin ata të cilët kaluan të parët në epërsi, kur Taulant Dajaku shënoi në minutën 20’, derisa në minutën 39’ Mevlan Zeka e barazoi rezultatin.
Vetëm një minutë pas golit të Zekës, skuadrat mbetën me nga një lojtar më pak, pasi gjyqtari i ndeshjes i ndëshkoi me karton të kuq Blerand Kurtishajn e Feronikelit dhe Azem Bejtën e Drenicës, pas një kacafytjeje të lehtë ndërmjet tyre.
Në pjesën e dytë Feronikeli shënoi edhe njëherë, kur pas krosimit nga korneri i Mentor Zhdrellës, Behar Maliqi gjendet më së miri para portës vendase dhe shënon për 1-2.
Fitorja e Feronikelit u vështirësua edhe më shumë pas minutës 83’, pasi edhe Mendurim Hoti u largua nga loja me karton të kuq, duke e lënë Niklin me vetëm 9 lojtarë.
Megjithatë, deri në fund portat mbetën të pa prekura dhe Feronikeli arriti ta regjistrojë fitoren e tretë rresht në Superligë.