DITARI RUS (8)
Dëshira e madhe, solli fitoren
Shkruan: LUAN MORINA
22 June, 2018 @22:52
Duelet e ditës në Kampionatin Botëror, në përmbledhje dhe çka pritet tash e tutje…
NEYMAR JR
Ndeshja më e dobët deri tani në Kupën e Botës, s’mund të ishte tjetër pos një që përfshinte dy ekipe amerikane. Kosta Rika, e vetëdijshme për inferioritetin ndaj brazilianëve kishte vendosur të mbrohej. Brazilianët, pa një qendërsulmues të dobishëm, nuk ia dolën të çanin mbrojtjen kostarikane, as me metodat e pahijshme të Neymarit.
E mira e VAR në këtë Kupë Bote është se me përfundimin e kësaj, në rast se nuk bëhet ndonjë skandal në ndeshjet e mbetura të cilat vetëm sa shkojnë e bëhen më të rëndësishme, në çfarëdo gabimi gjyqtari në Ligën e Kampionëve e Premier League do të akuzohen për mos-praninë e VAR-it! Deri tani, përdorimi i VAR ka qenë i përkryer në këtë garë.
Brazili mezi fitoi. Por, kjo s’do të thotë asgjë në luftën e tyre për titull. Tite ka aftësi të sanojë dobësitë, dhe mund ta bëj këtë. Ndeshja kundër Serbisë do të jetë vendimtare për të dyja ekipet, por brazilianët do të kenë më lehtë të shënojnë kundër serbëve për shkak të kulturës tjetër futbollistike.
AHMEDI
Ahmed Musa ka shënuar edhe më parë dy gola në një ndeshje në Kupën e Botës. Mund të shënoj edhe pas katër viteve, por, nuk do të jetë kurrë një lojtar i shkëlqyeshëm në një ekip të madh. Me Leicester Cityn ka pasur një lojë të mirë, dhe ajo ka qenë përgatitore, nëse nuk gaboj kundër Barcelonës.
Më pëlqen si lojtar, dhe do ta doja edhe në Galatasaray, ku pritet një kalim i tij nga Leicester City në formë huazimi. Por, pas sot, me gjasë do të shitet për para të majme diku tjetër. Është shembull i përkryer i yjeve që shndrisin në një verë dhe pastaj pushojnë për katër vite.
Nigeria gjeti recetën për të çarë Islandën, e cila kundër ekipeve më të mëdha luan me disiplinë më të madhe. Sot, ishin më të lehtë në lojë, morën dy gola të papritur kundër një loje të shpejtë të Nigerisë. Nuk janë pa shanse, sidomos tashti që kroatët gati janë të paprekshëm në krye.
SHQIPONJAT
Në pjesën e parë serbët sulmuan, morrën iniciativën, dhe gjetën golin. Me të filluar pjesa e dytë u tërhoqën, dhe ndonëse mbyllën mirë zonën, gjuajtja e parë serioze nga jashtë, përfundoi si një predhë në portën e Serbisë. Goli i Xhakës ishte i gatitur me vite, me dekada. Edhe i Shaqirit njashtu. Dëshira e madhe për të fituar, sidomos nga kuarteti ynë, bëri që Zvicra të marrë tri pikë sonte.
Nuk duhet ta marrin lehtë me Kosta Rikën, ndonëse barazimi aty i dërgon zviceranët tanë në rrethin e dytë. Një fitore më e madhe për kosovarët, për katërshen tonë, se sa për Zvicrën ishte kjo sonte.
NESËR
Belgjika duhet të vazhdojë me rezultate bindëse. Nuk guxojnë të lëshojnë këmbën nga pedalja, dhe fitorja më e thellë u nevojitet për pozitën më të mirë në grupe.
Gjermania e mbyll ditën kundër Suedisë, me të njëjtin mision, ndonëse s’do ta ketë lehtë të hap një Suedi që mbrohet. Do të jetë interesante të shohim Meksikën si do të reagojë ndaj një ekipi më inferior. Kundër Gjermanisë ishin të shkëlqyeshëm në mbrojtje të ngjeshur dhe kundër-sulme, diçka që përdorte Koreja Jugore kundër Suedisë.