DITARI RUS (1)
Dhe nisi!
Shkruan: LUAN MORINA
15 June, 2018 @9:16
Nisi në njërën ndër mënyrat më pak të pritura, pasi ndeshjet e para të Kupës së Botës nuk janë aq të hapura. Ashtu edhe kjo nisi, me pak sulme, me dy gola që erdhën nga gabimet e mbrojtjes arabe, e cila u shpartallua me angazhimin e Dzyubas.
Në mbrojtjen e arabëve, Omar Hawsawi, kapiteni, ishte figura më e përmbajtur ndoshta në të gjithë ekipin. Por, kjo zgjati deri kur Artem Dzyuba shënoi golin e parë. Shoku i Omarit, Osama Hawsawi, 34 vjeçar ishte më i dobëti, duke dështuar në shumë pasime, si dhe ishte fajtori kryesor tek goli i dytë. Tek ky gol e tërë mbrojtja ishte jashtë pozitës, gjersa Otayf nuk përcillte aksionin.
Mbrojtësi i majtë, Al-Shahrani me një shpejtësi dhe zbritje të shpeshta, ishte ndoshta i vetmi që ndihmonte sulmin. Në pjesën e dytë, harkimi i vetëm erdhi nga e djathtë. Al-Faraj dhe Otayt dështuan plotësisht në distrubimin e topave. Mund të fajësojmë për këtë dyshen mesfushore të Rusisë, me Zobninin e Gazinskyn, pak të vërejtur, por shumë të dobishëm.
Më i dobishmi nga të gjithë ishte Golovin. Dy asistime dhe një gol i shkëlqyeshëm, bën që ylli i CSKA-së të jetë ndër figurat kryesore të ndeshjes, ani pse Cheryshev shënoi dy gola. Goli i dytë ishte jashtëzakonisht i bukur dhe mund të garojë që tani për golat më të mirë të kësaj Kupe. Por, para se të shënonte golin e parë, humbiste shumë topa. Alan Dzagoev përsëri u lëndua. Së paku luajti për 24 minuta, por pa lëndime, ai do të ishte njëri nga rusët më të mirë të viteve të fundit.
Mbrojtja nuk u sprovua sot. Do e shohim si do të qëndrojnë në ndeshjet tjera. Cherchesov me shumë mend aktivizoi Dzyuban për të shfrytëzuar dobësinë në mbulim të mbrojtjes arabe. Arabët patën shumë gabime themelore, në pranim e pasim. Mirë e nisën me presing zonal, por kjo nuk zgjati shumë. Al-Dossari (18) ishte i vetmi që kthehej për të lidhur mesfushën me sulmin. Edhe ato pak shanse që i patën, gjuajtën jashtëzakonisht dobët.
Me pesë gola disavantazh, kalimin në rrethin e dytë është ëndërr e shuar për arabët. Por, rivaliteti me Egjiptin, duhet të ofroj një lojë të mirë për sy.
SOT, DUELE TË MËDHA
Nuk është e sigurt që Salah do të startojë. Mund të aktivizohet nëse rezultati është i ngushtë, diçka që dyshoj se do të jetë pas një ore lojë. Rezultati i thellë i Rusisë, do të detyrojë lojë më të hapur për të dy ekipet, në rast se golaverazhi do të vendos për pozitat përfundimtare në grup.
Edhe rusët, edhe arabët nuk treguan lojë të mirë për t’u përballur me Uruguain, apo Salahun në formë. Se më kë kanë punë, do të shohim në këtë ndeshje.
Ndeshja e pasdites ndërmjet Iranit dhe Marokut, duhet të jetë m e mbyllur, më e rezervuar, me të dyja ekipet në tentim për të marrë pikë që mos të largohen duarbosh nga Rusia. Është e pamundur të kalohet ky grup.
E ndonëse me trajner të ri, Spanja s’do të duhej të ketë problem me portugezët. Por, është një lojë nga më të paparashikuarat. Do të vërejmë se sa njëmend ka ndikuar shkarkimi i Lopeteguit.
Të premten nis përnjëmend Kupa e Botës, bashkë me festën e Bajramit të Madh.