DITARI RUS (15)
Dita e zëvendësimeve
Shkruan: LUAN MORINA
2 July, 2018 @13:31
Zhvillimi i teknologjisë ka perfeksionuar këtë Kupë të Botës më tepër se që ishin më parë. Së paku nuk po flitet për gabime të gjyqtarëve. Nuk ka simulime më, pos ndonjë rast si ai i Mandzukicit, i cili është i mësuar me kësi lloji të fitoreve.
VAR
Sigurisht që fitorja e mbrëmshme e Kroacisë nuk ishte për t’u ngjyrosur me karrierën dhe pisllëqet e Mandzukicit, por edhe nuk ishte një fitore e dominuar, ashtu siç mund të pritnim nga kroatët.
Danezët shfaqën një lojë shumë më të bukur në fitoret në grupe. Arsyeja kryesore qëndronte tek kontinenti i njëjtë, ndonëse me francezët ka qenë një humbje kohe prej dy orëve për të vazhduar tutje.
Rasti i Zankas u gjykua ashtu siç parashihet me rregulla – karton i verdhë dhe penallti. Nëse është jashtë zonës, karton i kuq nëse është lojtari i fundit. Luka Modric edhe njëherë dëshmoi pse është ndër mendjet më të ndritura në fushën e futbollit. Mungesa e një qendërsulmuesi klasik u vërejt mbrëmë me inkuadrimin e Badeljit. Kundër rusëve me mbrojtje të ngjeshur, s’do të mund ta kenë ndoshta aq lehtë në çerekfinale, ndonëse janë favoritë të qartë.
ZËVENDËSIMI HISTORIK, EROKHIN
Inkuadrimi i Erokhinit në vend të Kuzyaevit bëri histori si zëvendësimi i katërt i parë në një Kupë të Botës. Është një nga veprimet pozitive të FIFA-s, ngjashëm siç ishte njoftimi për kohën shtesë në Francë para 20 viteve. Po më parë, gjyqtari ka vazhduar lojën sa i është dukur e arsyeshme, ndoshta edhe nëntë minuta, ndoshta edhe hiç.
Largimi i Dzyubas vetëm sa dëshmoi strategjinë e Rusisë – penallti dhe fajësim i fatit. Përndryshe, glorifikim i Igor Akinfeev, njërit nga portierët më të pasigurt në futboll. Por, penalltitë janë më shumë përgatitje psikike se fizike.
Spanjollët s’kanë kë të fajësojnë. As kryetarin e federatës, as Hierron, as Perezin, as Lopeteguin. Për penalltitë në Kore ishin fajtor lojtarët. Për penalltitë dje, për lojërat e dobëta në grupe, fajtorë janë lojtarët. Rivaliteti që është shpërfaqur me largimin e Lopeteguit, bënte sikur të ishte një ekip që s’flasin mes vete.
E mbi të gjitha Iniesta. Të presësh ende nga një lojtar i cili ka kaluar në veri të 30-tave moti kohë, kur në ekip ke Saulin, Koken, Thiagon, e edhe David Silvan i cili ka luajtur mesfushor qendror në City këtë sezon, është keqmenaxhim i tranzicionit. Krejt kjo ka ndodhur para Hierros, dhe mungesa e një lideri të denjë në fushë, e ka bërë të veten.
Nëse ka një ekip nga katër të eliminuarat në rrethin e dytë që nuk ka merituar të eliminohet, ata janë Danimarka. Të tjerat, me meritë kthehen në shtëpi!
E SOTMJA
Dueli i amerikanëve do të jetë kënaqësi të shihet. Nuk besoj që Meksika do të qëndroj mbrapa sikur Kosta Rika, ndonëse mund të shfrytëzojnë kundërsulmet si kundër gjermanëve. Ndeshja me Suedinë ka hedh në pah shumë mangësi të meksikanëve, të cilat mund t’i shfrytëzojnë brazilianët nëse kanë nerva të lënë topin tek kundërshtarët e tyre.
Në mbrëmje, Belgjika dhe Japonia do të japin një lojë ndoshta edhe më të bukur. Që të dyja ekipet nuk kanë hezituar të sulmojnë, sa kanë hezituar të mbrohen. Një shfaqje e tillë besoj se do të na pres edhe sonte.