DITARI RUS (14)
Mësuesi Tabarez
Shkruan: LUAN MORINA
1 July, 2018 @15:03
Jose Mujica jetonte në një shtëpi goxha të vogël, që mund ta quanim kasolle në periferi të Montevideos. Pasi kishte qenë ministër, në vitin 2010 ai ishte zgjedhur president i Uruguait dhe totali i pasurisë së tij përbënte një Volkswagen breshkë të vitit 1987 në vlerë prej 1800 dollarëve. E gjatë pesë viteve si president, 90% të pagës mujore prej 12 mijë dollarëve e ka dhënë donacione për të ndihmuar ata në nevojë.
MËSUESI
Mësuesi Oscar Tabarez është njeriu tjetër frymëzues nga Uruguai. Sindromi Guillain-Barre që sulmon sistemin nervor duke lënë të pafuqishme muskujt e gjoksit dhe këmbëve më së shpeshti, nuk e ka ndaluar të heq dorë nga udhëheqja e kombëtares së Uruguait.
Ndonëse kjo pjesa ‘mendore’ mund të ishte e dyshimtë, Tabarez ka vazhduar me aprovimin e UFA-s. Përdorimi i taktikës 4-4-2 klasike, të cilën provonte ta ruante edhe në Kupat e kaluara kur sulmin e kishte më të populluar, po del të jetë e përkryer për të kaluar tutje.
Mbrëmë, Edinson Cavani qe i mahnitshëm, dhe bashkë me Suarezin treguan diçka që humbësit dje në të dyja oraret nuk treguan – vendosjen e ekipit para personales. Sidomos në orarin e pasdites. Më e mira që ka bërë Tabarez në këtë Kupë është gjetja e Laxaltit në rolin defensiv në krahun e majtë. Edhe nëse Cavani mund të ketë ndonjë lëndim më serioz, Stuani e Gomez janë të denjë për të ndihmuar Suarezin, të cilit vitet e fundit e kanë bërë më ‘nënshtrues’!
OLIVIER GIROUD
Kylian Mbappe ka fuqinë, shpejtësinë, dhe teknikën. Këto e bëjnë një lojtarë të përkryer nëse nuk e huq me menaxhimin psikik. Të shtunën shfaqi pak nga talentet e tija karshi një mbrojtjeje jo edhe aq të kompozuar.
Megjithatë, arsyeja e suksesit në krahasim me ndeshjet e para është inkuadrimi i një sulmuesi klasik. Edhe futbolli preket nga evolucioni dhe koha për 9sh klasik ka kaluar! Giroud për shkak të shtat-lartësisë, prekjes së parë dhe lojës me kokë, merr me vete dy mbrojtës duke i lënë hapësirë edhe Mbappes edhe Griezmannit. Që të dy kanë pasur më shumë sukses kur kanë luajtur si gjysmësulmues dhe sulmues krahu.
Tek Franca kontribut të madh vazhdimisht jep edhe Blaise Matuidi i cili është lojtari më adaptues në këtë ekip. Mund ta gjesh në krahë, nga zona në zonë, dhe si shkatërrues. Ka edhe teknikën dhe aty ku ekipi vuan, aty mund të vendoset Matuidi gjatë ndeshjes. Mobiliteti i tij në krahasim me Pogban dhe Kanten të cilët janë më të polarizuar në pozitat e tyre të qendrorit dhe shkatërruesit, e bën Matuidin çelësin e ekipit.
Cili trajner është trajner i madh në këtë Kupë Bote? Cili ekip mund të shquhet për trajner, por jo për lojtarë? Suedia ndoshta?
Çfarë dua të them është që trajneri nuk mund të bëj mrekullia, por edhe mund të shkatërroj një ekip! Së paku dje, dy ekipet me lojë më të mirë kaluan tutje.
Sot, do të jetë interesante të shohim si do të luajnë spanjollët kundër rusëve. Më shumë duhet të koncentrohemi në pjekurinë e Spanjës nën Hierron se sa në aftësinë e Rusisë për të kaluar para. Në mbrëmje, Kroacia është favorite dhe duhet të kalojë tutje nëse danezët nuk kanë gjetur ndonjë ilaç magjik!