URUGUAJI - PORTUGALIA
Bie kampioni evropian, Cavani çon Uruguajin tutje
30 June, 2018 @21:52
Me dy gola të bukura të Edinson Cavanit, Uruguaji ka arritur çerekfinalen e Kampionatit Botëror Rusia 2018.
Uruguaji ka eliminuar kampionin aktual të Evropës, Portugalinë, duke e mposhtur 2-1 në fund, përkundër insistimit të madh të portugezëve kah fundi i ndeshjes për të shënuar.
Mbrojtja e çeliktë e Uruguajit përsëri është treguar vendimtare dhe kjo u vërtetua në fund të ndeshjes, kur me liderin Diego Godin, latinoamerikanët nuk i dhanë asnjë rast të qindpërqindtë Portugalisë për të barazuar.
Në minutën e shtatë të ndeshjes, pas një kombinimi nga gjysma e fushës, Cavani - Luis Suarez, ky i fundi krosoi me metra bukur për Cavanin për 1-0 (7’).
Portugalia barazoi përmes qendërmbrojtësit Pepe, që shënoi për të barazuar (55’) 1-1.
Shpejt Cavani u kundërpërgjigj me gol, përsëri të bukur, kur gjeti çoshen e portës së Rui Patricios të pafuqishëm për të bërë më shumë, 2-1.
Cavani në fund doli nga loja për shkak të një lëndimi, por Uruguaji i sigurt shkoi tutje dhe tashmë në çerekfinale do të ndeshet me Francën.
Në anën tjetër, Portugalia është eliminuar nga Botërori.