HISTORIKE NGA DRITA
Drita “kampione” e fazës preliminare e Ligës së Kampionëve
29 June, 2018 @22:55
Kampionia e Kosovës ka shënuar fitore të madhe sot, duke u bërë tashmë ekipi i parë kosovar që arrin dy fitore në gara të UEFA-së [Ligë të Kampionëve] ndërsa, ka kaluar dy raunde preliminare për të arritur fazën e parë kualifikuese të garës më të rëndësishme të futbollit evropian.
Pasi që eliminoi kampionin e Andorrës tre ditë më parë, sonte Drita fitoi edhe kampionin e Gjibraltarit, Lincoln Red Imps, 2-1, pas vazhdimeve.
DUELI I LODHSHËM
Haxhi Neziraj ka qenë ndër lojtarët e paktë të Dritës që kanë pasur energji për të përballur 120 minuta lojë me kapacitet të plotë, ndërsa Xhevdet Shabani duke kursyer veten mençur, ka luajtur me plotë përgjegjësi gjithë ato minuta.
Mbrojtja e Dritës në disa raste, veçanërisht në fund të pjesës së dytë të lojës, ka bërë lëshime të mëdha, por fatmirësisht kundërshtari nuk ishte i vëmendshëm të shënonte.
Epërsinë Dritës në ndeshje ia solli mbrojtësi me përvojë Liridon Leci, që në fillim të ndeshjes. Pas kësaj Drita pati edhe disa raste shumë të mira për të shënuar, por këtë nuk e arriti.
VAZHDIMET
E pastaj një gabim në mbrojtje pas kornerit të Lincolnit, i kushtoi me gol dhe rezultati me golin e Pedro Corralit u barazua, e shkoi në vazhdime.
Në vazhdime, Drita mbeti pa Fidan Gërbeshin që u ndëshkua me të verdhën e dytë. Por, 8 minuta më vonë Lincoln mbeti me 10 lojtarë, pasi që Bernardo Lopes shkaktoi penallti.
ÇLIRIMI
E penalltinë nuk e gaboi Liridon Leci, që shënoi për fitore dhe kualifikimin historik të Dritës dhe të një ekipi kosovar tutje.
E krejt në fund, kur Lincoln doli haptas all-attack, Drita nga 4 kundërsulme, shënoi 2 herë, me Xhevdet Shabanin (119’) dhe Haxhi Nezirajn (120’).
Tash, Drita do të ndeshet me kampionin e Suedisë, Malmo, me datat 10/11 korrik dhe 17/18 korrik.