SINDRIT GURI
“Do ta jap maksimumin. Duhet t’i harrojmë miqësoret”
3 September, 2018 @18:27
Paraqitjet e mira në Belgjikë me skuadrën Oostende, e ka afruar në kombëtaren shqiptare edhe sulmuesin 24 vjeçar, Sindrit Guri.
Në mungesë futbollistëve të lënduar si Armando Sadiku e Odise Roshi, Guri do të jetë një prej armëve të përzgjedhësit Christian Panucci në vijën e sulmit.
Futbollisti shkodran, së bashku me Migjen Bashën ishte sot në konferencën për shtyp, ku foli para ndeshjes me Izraelin, duke theksuar se duhet të harrohen humbjet e fundit të kombëtares në miqësoret ndaj Norvegjisë, Kosovës dhe Ukrainës.
“Gjithkush ka vendin e vet në kombëtare. Do të mundohem të jap maksimumin dhe ta meritoj fanellën kuqezi. Gjithsecili që fiton kombëtaren ka peshën dhe duhet të japë maksimumin e tij. Nuk vi në kombëtare që të them se është një xhiro. Unë vij që të jap maksimumin tim. Duam të ecim sa më shumë dhe t’i harrojmë miqësoret e humbura. Parësore nuk është goli im, por arritja e objektivave me kombëtaren. Janë ndeshje shumë domethënëse për ne dhe do të japim më të mirën tonë. Nuk janë më ato miqësore, por do të jemi shumë më ndryshe. Kur luajmë në fushën tonë kemi edhe tifozët, dhe ndiejmë një peshë më të madhe sepse futbolli për tifozë luhet dhe besoj se do të jenë aty për ne të premten. Nuk duhet të kujtojnë më ndeshjet miqësore, por të shohin përpara,” tha Guri.
Guri deri më tani me Shqipërinë ka luajtur vetëm në një ndeshje, dhe atë kundër Kosovës në miqësoren e humbur me rezultat 3-0, që u zhvillua maj të këtij viti.