MIGJEN BASHA
“Mund të humbim prej të gjithëve, por edhe mund t’i mposhtim të gjithë”
3 September, 2018 @18:16
Pak ditë para ndeshjes Shqipëri - Izrael, njëri prej futbollistëve më me përvojë të kombëtares, Migjen Basha, ka dalur para gazetarëve në konferencë për shtyp, për t’i shprehur përshtypjet e tij para kësaj ndeshjeje.
Basha, fillimisht u shpreh i kënaqur për rikthimin e tij tek kuqezinjtë, pasi që kishte munguar një kohë të gjatë për shkaqe të ndryshme, derisa pranoi që Shqipëria ka ekip të çuditshëm, pasi që mund ta mposht çdo skuadër, por njëkohësisht mund të mposhtet edhe nga çdo skuadër.
“Për mua është një nder që jam rikthyer, pasi kam munguar për një periudhë gati një-vjeçare. Në lidhje me formën e skuadrës ne kemi reaguar gjithnjë kur kemi pasur probleme, kujtojmë këtu rastin pas humbjes së Luksemburgut. Duhet të reagojmë sa më parë, pasi nuk jemi Kombëtarja që kemi qenë dikur. Duhet parasysh edhe fakti që në skuadër gjatë ndeshjeve të fundit ka patur edhe lojtarë të rinj që trajneri ka dashur t’i provojë dhe mund të them se nuk ka qenë kombëtarja e plotë. Në këtë skuadër vlen eksperienca e gjithkujt dhe jo vetëm e imja.
E rëndësishme është që lojtarët të jenë gati të japin më të mirën e tyre në çdo moment për Kombëtaren. Jam i sigurtë që edhe këtë herë do t’ia dalim. Natyrisht na duhet dhe pak fat e eksperiencë për të marrë një rezultat të mirë ndaj Izraelit. E dimë që kundërshtari është një rival shumë i fortë. Jemi një ekip i çuditshëm, mund të humbim me këdo, por mund të marrim rezultate pozitive me të gjithë, siç edhe ka ndodhur në të kaluarën. Sa i përket tifozëve unë jam i sigurtë që do jenë të pranishëm. Duhet të shikojmë përpara. Janë ndeshje të rëndësishme, ia dimë vlerën,” tha ai.
Basha aktualisht po luan për skuadrën greke, Aris Thessaloniki.