HADËRGJONAJ & SHABANI
Kosova me dyer të hapura për Hadërgjonajn dhe Shabanin
3 September, 2018 @17:44
Përfaqësuesja e Kosovës shpreson ende për një afrim të mundshëm të dy futbollistëve të talentuar kosovarë, Meritan Shabani dhe Florent Hadërgjonaj, të cilët kanë mundësi që ta zgjedhin Kosovën, për të luajtur në të ardhmen.
Për mundësinë e bashkangjitjes së tyre në përfaqësuese, ka folur edhe përzgjedhësi Bernard Challandes, i cili në konferencën e sotme për shtyp tha se për dyshen në fjalë dyert janë gjithmonë të hapura.
Shabani, 19 vjeçar, është pjesë e gjigantit gjerman, Bayern Munchen, ndërsa për të së fundi ka shprehur interesim edhe kombëtarja e Shqipërisë.
Ndërsa Hadërgjonaj, që po luan me sukses në Premier League te skuadra Huddersfield Town, është në mes të Kosovës dhe Zvicrës. Për këtë të fundit, Hadërgjonaj ka luajtur një ndeshje miqësore me përfaqësuesen A, si dhe 12 ndeshje të tjera me përfaqësuesen e të rinjve.