SKËNDER GEGA
Do të vlerësojmë në maksimum çdo ndeshje
6 February, 2015 @16:59
Trajneri i kombëtares U-21 të Shqipërisë, Skënder Gega, sot ka mbajtur një konferencë për media, me qëllim të diskutimit të shortit për kualifikime në EURO 2017, që ishte hedhur ditën e djeshme në qytetin Nyon të Zvicrës.
Gega, duke mos dashur t’i veçojë kundërshtarët e grupit, tha se do të vlerësojnë në maksimum çdo ndeshje, në mënyrë që të arrihen rezultatet pozitive.
“Në pamje të parë, duket sikur ekipet kanë diferenca mes njera tjetrën por duke u nisur nga eksperienca e së kaluarës mendoj se nuk është kështu. Na ka ndodhur, që të humbim ndaj kundërshtarëve që i mendonim të kalueshëm, ndërkohë që kemi fituar atëherë kur nuk kemi qenë favorit. Kështu që do të na duhet të vlerësojmë në maksimum çdo ndeshje.”
Përzgjedhësi 51 vjeçar më tej foli edhe për planet e tij, duke theksuar se do ta bëjë edhe një grumbullim tre ditor, për të qenë sa më të gatshëm për sfidën e parë që do ta luajnë kundër Lihtenshtajnit.
“Jemi në fazën e fundit të formimit të grupit. Shumë shpejt do të kemi edhe një grumbullim 3 ditor, me lojtarët e kampionatit shqiptar për të qenë gati për sfidën e parë në Lihtenshtajn, ku do të grumbullohen lojtarët që kanë formën më të mirë.”
Shqipëria është në grupin e katër kualifikues për EURO 2017, së bashku me Portugalinë, Izraelin, Greqinë, Hungarinë dhe Lihtenshtajnin.