SUPERLIGA, SOT

BOROZANI
Drenica pret Prishtinën
5 October, 2013 @10:07
Kampionja aktuale e Kosovës, Prishtina, udhëton sot për në Drenicë për ndeshjen e xhiros së nëntë të Superligës.
Ekipi i Afrim Tovërlanit është këndellur pas humbjes nga Trepça me fitoren e madhe ndaj Llamkos Kosovës së Vushtrrisë dhe tanimë i tërë ekipi mendon për fitore në stadiumin Bajram Aliu.
Drenica, gjithashtu është në formë të mirë prej se në krye të tyre erdhi Afrim Jashari, ku kuqezinjtë kanë shënuar dy fitore dhe një barazim në tre xhirot e fundit.
Stinorin e kaluar në tre takimet e tyre të Superligës, Prishtina kishte fituar dy, ndërsa ndeshja tjetër kishte përfunduar me barazim në Drenicë.
Përballja tjetër e sotme luhet në Fushë Kosovë, ku ekipi i ardhur nga Liga e Parë do të tentojë të regjistrojë fitoren e dytë në kampionat. Ekipi i Zylkifli Obërtnicës, ka cilësi për të arritur këtë mirëpo qëndrueshmëria e tyre po vihet në pikëpyetje në 90 minuta.
Në anën tjetër edhe Ferizaji është në formë të mirë, me Astrit Fazliun e hat-trickave, mund të tentojë fitoren - që do të ishte rast ideal për djelmoshat e Bylbyl Sokolit për t’iu bashkangjitur ekipeve të kreut.
Besa-Ferronikeli, Llamkos Kosova-Hysi dhe Drita-Trepça luhen nesër, derisa Hajvalia dje mposhti Trepçën ‘89 1-0.
SUPERLIGA E KOSOVËS:
15:00, sot | Drenica-Prishtina | ||
15:00, sot | Fushë Kosova-Ferizaji |