PAS DËNIMIT DRASTIK
Drita reagon ndaj dënimit prej 10 mijë eurove
18 August, 2018 @14:47
Skuadra e Dritës ka reaguar pas shqiptimit të dënimit të paparë në futbollin kosovar nga FFK-ja.
FFK-ja gjobiti Dritën me 10 mijë euro dhe zhvillimin e dy ndeshjeve zyrtare në fushë të vetë pa praninë e tifozëve të ekipit, me këtë arsyetim:
“Komisioni në rastin e sjelljës së këtij vendimi për bazë pati raportet e zyrtarëve, raportet plotësuese nga faktori ndërkombëtar UEFA të cilët ishin monitorues të organizimit të ndeshjes me rastin e inaugurimit të stadiumit “Fadil Vokrri“ në Prishtinë, incizimet televizive si prova valide prej nga vërtetohet së spektatoret e ekipit të KF “ Drita “ nga Gjilani paten sjellje të gabuar, duke hedhur fishekzjarre në fushë të cilët dukshëm e kontaminuan ajrin dhe penguan rrjedhen e ndeshjës si dhe të njëjtit përdoren shprehje fyese drejtuar ekipit dhe spektatorëve kundërshtar në disa raste gjatë zhvillimit të ndeshjes përkunder paralajmërimeve para fillimit të takimit nga ana e organeve të FFK-së, se ndeshja është duke u përcjellur nga inspektoret e FIFA-së dhe së kujdesi duhet të jetë i veçantë, të njëjtit nuk përfillen këto rekomandime. Këto ishin prova bazë për Komisionin disiplinor që t’i referohet Rregullores së garave neni 39 pika 1, 2, 3. si dhe Rregullores disiplinore neni ; 8 pika 4/c dhe e, neni 29 (rast i rëndë), neni 50 paragrafi 1 pika 3 si dhe neni 51 paragrafi 1 pika 1.”
Në anën tjetër Drita pas mbledhjes së klubit ka kërkuar nga FFK-ja të qartësojë arsyetimin e saj.
“Të marrim shembull, duke u mbeshtetur në nenin 39 të rregullores së garave pika 3, ceket qartë që: “Organizatori i ngjarjeve sportive është i obliguar të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e ngjarjes sportive, e në veçanti duhet të kujdeset për masat parandaluese të shfaqjes së dhunës dhe sjelljeve të palejuara”.
Informacione shtesë për këtë pikë kërkojmë vetëm për faktin që si klub nuk kemi pasur përgjegjësi organizative.
Tutje duke analizuar Rregulloren Disiplinore përkatësisht nenin 29, 50 dhe 51 vijmë në përfundim se: Neni 29 paraqet “RASTET E RËNDA”, neni 51 pika 1 thotë ; “Në rast të hedhjes së gjësendeve të forta pa pasoja në terren klubi denohet me të holla”.
Pa qartësi kemi këtu sepse neni 29 e konsideron rastin si “TË RËNDË”, ndërsa neni 51 pika 1 rastin e paraqet të lehtë dhe pa pasoja.
Neni 51 pika 3 potencon që; “Ekipi mund të denohet me dy deri në katër ndeshje pa praninë e shikuesve në rast të tentimit të sulmit ndaj personave zyrtar apo futbollistëve të të dyja palëve”.
Të gjithë jemi dëshmitarë që tifozët tanë nuk kanë sulmuar as personelin zyrtarë e as futbollistët. Megjithatë veprimi i paaryshëm nga ana tyre domosdoshmerisht duhet të denohet në mënyre racionale.
Neni 50 të cilit i është referuar FFK-ja tregon qartë që klubi i cili nuk e organizon ndeshjen në pajtim me dispozitat dhe propozicionet e rregullores së garave do të denohet me të holla. Përsëri kërkojmë sqarime shtesë pasi nuk kemi pasur përgjegjësi organizative.
Federata e Futbollit të Kosovës ka shprehur gadishmërinë që një herë e përgjithmonë të zhduken fenomenet negative në futbollin kosovarë. Ne si klub e përgëzojmë kryetarin Agim Ademi dhe të gjithë stafin e tij, gjithashtu i falenderojmë për ndihmën që na kanë ofruar në organizimin e ndeshjeve në arenën ndërkombëtare. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të njolloset klubi ynë dhe të dëmtohet imazhi i superligës së Kosovës. Si klub do të jemi bashkëpunues dhe aleat për të luftuar së bashku çdo sjellje të pahijshme në stadiumet kosovare. Kërkojmë nga FFK mirëkuptim rreth kërkesës tonë, gjithashtu shprehemi në mënyre publike se e respektojmë çdo vendim nga ana e organeve disiplinore dhe i inkurajojmë që me çdo mjet dhe në çdo mënyrë të ballafaqohen me problemet që ka futbolli ynë. Konsiderojmë që shuma e të hollave që detyrohemi të paguajmë është shumë e lartë në raport me standartin financiar të klubeve kosovare. Shpresojmë shumë që kjo kërkesë e klubit tonë për informacione shtesë dhe ri-shqyrtim të vendimit nga shkalla e dyte të merret parasysh. Si klub e rikonfirmojmë besimin në organet e Federatës dhe do të jemi gjithmonë të gatshëm për bashkëpunim korrekt,” ka qenë shkrimi i Dritës botuar në faqen e ekipit në Facebook.
Mbetet të shihet në ditët në vijim se si do të zgjidhet ky rast, derisa sot fillon stinori i ri i Superligës, kurse Drita nesër është vendase ndaj të rikthyerit në elitë, KEK-ut.