11 PËR VIKEND
E diela sportive
Shkruan: Luan MORINA
25 February, 2017 @17:20
Para dueleve më interesante të javës
1. Betis – Sevilla (e shtunë, ora 4e15)
Një e shtunë e mërzitshme pa shumë ndeshje interesante. E para që mund të bëni, nëse nuk preferoni Bundesligë, është të shihni derbin e qytetit të Sevijës. Derbi është vetëm në letër, pasi Betisi është shumë, shumë më i dobët se Sevilla. Të angazhuar në Ligën e Kampionëve, dhe në luftë për titull, e cila luftë mund të bëhet tejet interesante nëse dy të parat dështojnë, Sevilla nuk guxon të lëshoj pikë në këtë takim.
2. Gjilani – Drita (e diel, ora 1)
Ndeshja e vjeshtës ka qenë nën jehonën që ka ky derbi. Të dyja janë larg cilësisë që mëtojnë, dhe është më shumë një derbi lokal, pa ndonjë ndikim të madh në futbollin kosovar për momentin. Ngjashëm si në futboll, regjioni i Gjilanit po ngecën në çdo sport, dhe në përgjithësi në çdo industri. Ky derbi ndoshta është gjëja më e bukur që ndodh në këtë pjesë të Kosovës gjatë një viti. Dhe kur e mendon që vjeshtën e ardhshme mund të mbeten edhe pa këtë, atëherë...
3. Feyenoord – PSV (e diel, ora 2e30)
Ashtu siç e kam cekur në vjeshtë, përsëri po e ceki arsyen pse duhet parë këtë ndeshje – talentet! Të dyja kanë talente, si krejt liga holandeze që ngjan në një fermë futbollistësh të talentuar. Belgët janë duke u afruar, megjithatë holandezët akoma ruajnë fantazmën e legjendave të shekullit të kaluar.
4. Sassuolo – Milan (e diel, ora 3)
Kurrë Milani s’ka fituar në udhëtim kundër Sassuolos. Dhe kurrë Sassuolo nuk ka qenë më keq se që është tani. Pa marrë parasysh rezultatin e kësaj ndeshjeje, vlera historike e saj ka rëndësi të madhe për rossonerët. Përfundon, së paku pritet të përfundoj edhe zyrtarisht era e Berlusconit. Kinezët duhet të jenë edhe zyrtarisht në krye të ekipit javën e ardhshme.
5. Atletico – Barcelona (e diel, ora 4e15)
Shpresa për të kthyer La Ligën në krye bie mbi këtë ndeshje (dhe dy tjera të kësaj jave). Fitorja eventuale e Atleticos, do t’i afronte ata afër pozitave të kreut, duke bërë lëmsh ndoshta luftën për titull, ose së paku për kualifikim në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, Barcelona në letër ka shënuar rezultate të mira në La Liga, përkundër fitores me penallti të dyshimtë ndaj Leganes. Në anën tjetër kundërsulmet kryen punën ndaj Leverkusenit për Atleticon.
6. Manchester Utd – Southampton (e diel, ora 5e30)
Titulli i dytë i Mourinhos tek United. Mund të jetë fillim i mbarë, por assesi s’mund të nënçmojmë Southampton të cilët kanë ditur t’u shkaktojnë kokë-dhembje ekipeve tjera me emër. Është finale, dhe si çdo finale angleze, parashikimi i fituesit është çmenduri.
7. Inter – Roma (e diel, ora 15n9)
Futbolli italian po bëhet! Pioli ka revolucionarizuar Interin. Veçse janë në gjendje të konkurrojnë Romën e Napolin, dhe ndoshta të dyja do të nxiten të kalojnë një shkallë më lartë për t’iu afruar Juventusit. Derbi klasik italian që nuk bën të lëshohet.
8. Villarreal – Real Madrid (e diel, ora 15n9)
E përmenda më lart, nevojiten kombinime për të hapur La Ligan. Reali është faktori kryesor. Një ndeshje si ajo kundër Valencisë do të mjaftonte sikur të ishin më vrastarë në fund. Coentrao, Danilo, e Varane do të mungojnë, por thellësia e ekipit duhet të mjaftoj për të mposhtur Villarrealin të cilët megjithatë janë këndellur pas turpërimit nga Roma.
9. Marseille – PSG (e diel, ora 9)
Shitja e Marseille, transferimi i lojtarëve me emër dhe Rudi Garcia, vetëm sa japin shpresë në ringjalljen e kësaj skuadre të cilës nuk i mungon historia (as ajo e hirtë). PSG është në momentin ndoshta më domethënës që nga shitja tek sheikët. Për dallim prej viteve tjera Ligue 1 nuk është aspak e garantuar, derisa as katër gola epërsi nuk ofrojnë gjumë të rehatshëm para udhëtimit në Nou Camp.
10. Galatasaray – Besiktas (e hënë, ora 6)
Galatasaray është i bërë për Evropë. Turqit nuk kanë tjera ekipe që mund të ngjiten lart. Jo Fenerbahce! Besiktasi ka bërë një ekip të mirë, por po dështojnë kur nuk nevojitet dhe kjo ka të bëjë me karakterin sportiv turk që dështon në momentet e parafundit. Galatasaray kanë larguar Riekerinkun për të marrë Tudorin trajner. Janë ekip mirë i kompozuar, por lëndimet po i mbysin këtë sezon.
11. Leicester – Liverpool (e hënë, ora 9)
Shkarkimi i Ranierit është i vonuar. Megjithatë problemi më i madh është se kush do të zëvendësoj atë. Liverpool duhet të këndellet, të vazhdoj këndelljen për të mos mbetur jashtë Evropës përsëri. Tashti më së miri do të vërejmë vlerën e Kantes për Leicesterin!