eUropa

Ëndërr nafte
Shkruan: Luan Morina
26 April, 2016 @16:30
Se paratë mund të sjellin suksesin është vërtetuar me triumfin e Chelseat në Allianz Arena. A do të ndodh e njëjta me Cityn në San Siro? Nuk është larg mendsh që në fund të majit, më në fund sheikët t’i gëzohen parave të shpenzuar kryesisht pa mend në titullin e më të mirit të Evropës.
Ka disa arsye pse City mund të fitoj. Së pari forma e shkëlqyeshme e Sergio Agueros dhe rikthimi në të i Kevin De Bruyne. Këta janë dy faktorët kyç në pjesën ofensive të ekipit që mund të dërgojnë djemtë e Pellegrinit deri tek fundi i lavdishëm.
Tekniku i Cityt është pa gajle kur e di që i përfundon misioni dhe Champions i mbetet i vetmi synim. Mund ta bëj një Heynckes nëse Yaya Toure arrin të gjej atë pikë force për të ju kundërvënë mesfushës goxha të bukur të Realit, dhe nëse Kompany arrin të përfundoj një ndeshje pa lëndim. Pak a shumë kjo dyshe ngjan në atë të Chelseat me Terry e Lampard, por…
Reali është Real. Ekip që është mësuar të fitoj Ligën e Kampionëve. Për mua janë ekipi me më së paku shanse për të përsëritur suksesin këtë sezon. Ka çarje që ndoshta nuk duken në plan të parë, por shfaqen atëherë kur ju duhen më së paku.
Nëse Atletico dëshiron të dëshmoj veten atëherë kanë rastin më të përkryer. Nuk është lehtë kundër Bayernit, por edhe nuk është aq vështirë. Simeone ka ekip që di të bëj atë çfarë nevojitet në fushë.
Nëse arrijnë të eliminojnë Bayernin, atëherë shumë thjeshtë janë fituesit moral të këtij edicioni duke eliminuar dy ekipet më të mira.
Europa League do të ju takoj edhe këtë vit spanjollëve me gjasë. Sevilla po bën ato që di më së miri – të nxjerr rezultatet nga gremina. Shakhtari nuk është për t’u nënçmuar. Ngjashëm edhe Villarreal.
Liverpool ka gjetur formë, por nuk kanë ndonjë ekip të veçantë. Trajneri dhe motivimi nuk mjaftojnë për një titull në Evropë.