NË PODGORICË
Fatos Beqiraj merr çmim në Mal të Zi
28 December, 2017 @14:57
Sulmuesi i lindur e rritur në Kosovë, Fatos Beqiraj, që përfaqëson Malin e Zi në futboll, ka marrë plaketën “Jubileu i artë” nga Federata e Malit të Zi, në ceremoninë e organizuar mbrëmë.
Beqiraj është nderuar nga kreu i Federatës malaziase, Dejan Savicevic, për 50 paraqitjet e tij me reprezentacion, ndërsa është lojtari i dytë me më së shumti paraqitje për këtë vend.
Para Beqirajt është vetëm Elsad Zverotic me 61 paraqitje. Beqiraj është aktualisht duke luajtur me sukses për Dinamon e Moskës, ndërsa në ndërkohë është duke kryer edhe kurset për trajner, edhepse pritet të luajë edhe disa vite futboll.
Ish-sulmuesi i Shqiponjës së Pejës, Buducnostit, Dinamos së Zagrebit, Changchun Yatait dhe Dinamos së Minskut, 29 vjeçari Beqiraj këtë stinor ka 18 paraqitje me Dinamon e Moskës dhe ka të shënuara dy gola.