KOLUMNE
Janari anglez
Shkruan: LUAN MORINA
28 December, 2017 @8:35
Jean-Marc Bosman nuk ka qenë njëri nga futbollistët që do të mbahet në mend për sukseset e tij në fushë. Por, suksesi i tij në gjykatë ka bërë revolucion në botën e futbollit, sportit në përgjithësi.
Para vitit 1995, edhe nëse kontrata e një futbollisti skadonte me një ekip, ai s’lejohej të kalonte në ekipin tjetër pa miratimin e ekipit aktual.
ROSS BARKLEY
Verën e ardhshme kontrata e Ross Barkley me Evertonin skadon dhe po të ishte viti 1993, ai duhej të merrte miratimin e Evertonit për të kaluar në çfarëdo ekipi tjetër.
Verën që po vijë, Ross Barkley mund të zgjedh cilindo ekip që i do zemra. E këtë zgjedhje mund ta nis qysh javën e ardhshme, edhe pse ka disa gjëra legale të cilat duhet të presin së paku deri në prill si nënshkrimi i kontratës.
EMRE CAN
Pos Ross Barkley i cili përkundër lëndimeve konsiderohet si një ndër talentët anglezë të Premier League, është edhe së paku një ekip që do të konkurronte ekipet tjera me lojtarë të lirë verën e ardhshme. Në qytetin e Mersit, edhe rivalët e Evertonit do të mbesin pa një lojtar të rëndësishëm për ta – Emre Can.
Gjermani i natyralizuar është i lidhur me Juventusin tashmë një kohë dhe kumtesa zyrtare është çështje kohe. Por, Liverpooli nuk duhet të vërej largimin e tij shkaku i angazhimit të Naby Keitas. Ky i fundit është më i shkathët në të dyja repartet e lojës dhe për mendimin tim vetëm sa do të jetë përmirësim në krahasim me Canin.
Evertoni ka provuar të sjell Sigurdssonin e Klaasenin dhe s’do të duhej të brengosej me largimin eventual të Barkley. Largimi falas mund të jetë një mundësi e humbur për të inkasuar së paku 20 milionë euro, një shumë minimale që pasqyron aftësitë e të dyve.
ARSENAL DHE MAN UTD
Megjithatë, askush nuk do të humb këtë verë sa Arsenali e Manchester Unitedi. Edhe atë humbja nuk është përfundimtare, pasi lojtarët akoma mund të diskutojnë e vazhdojnë kontratat me ekipet në të cilat janë.
Mesfushat e të dy këtyre ekipeve mund të pësojnë ndryshime drastike.
5 TE ARSENALI
Tek Arsenal pa kontratë mbeten Ramsey, Wilshere, Ozil e Sanchez. Mertesacker do pensionohet dhe jo që ka pasur ndonjë ndikim të madh në ekipin e Arsenalit këtë vit. Ramsey dhe Wilshere nuk pritet të zgjojnë interesim nga ekipet tjera të Top6 në Angli.
Ky i fundit ka një sezon të mirë, por nuk është i rregullt me Arsenalin. Uellsiani ka përfunduar sezonin. Ozili mund të vazhdoj pasi askund nuk merr para sa tek Arsenali me formën e ndryshueshme që tregon. Sezonin e kaluar ka qenë sa i lënduar sa i përgjumur.
Flitet për një kalim tek Barcelona, por dyshojnë që do ta zgjedhin gjermanin para Coutinhos e Allit. Shuma e transferimit nuk do të duhej të paraqiste problem për katalunasit. Ndërkohë Alexis duket i vendosur për të kaluar tek Manchester City. Forma e tij këtë vjeshtë pasqyron më së miri këtë plan të tij.
9 TE MAN UTD
Hiç më pak ndryshime s’do të ketë as Manchester Unitedi. Mata, Fellaini, Herrera, Carrick, Zlatan, Blind, Shaw, Young – që të gjithë mbeten të lirë në verë.
Zlatani akoma është i denjë për një rezervë, qoftë edhe në Premier League dhe kur kemi parasysh agjentin e tij dhe lidhjet që ka me Unitedin, vazhdimi edhe për një vit do të varej vetëm nga Zlatani.
Herrera ka qenë i mbipaguar e mbivlerësuar tek Unitedi që nga fillimi. Mund ta shkruajnë si investim të keq. Fellaini duket se po luan një lojë të mençur për të rritur pagën duke shfrytëzuar pëlqimin e Mourinhos për një lojtar si ai.
Megjithatë, Besiktasi është i gatshëm të paguaj çfarëdo shume për të zëvendësuar Attiba Hutchinsonin. Mata mund të zgjedh cilindo ekip për të startuar në Spanjë. Valencia mund të jetë destinacion interesant për të.
Në mbrojtje, Luke Shaw dhe Daley Blind janë të shkuar, ndonëse asnjëri nuk janë të keq për krahun e majtë të mbrojtjes. Më të mirë se Youngu janë. E megjithatë ka gjasa që ky i fundit të vazhdoj kontratën edhe pse një kthim tek Aston Villa do të ishte një përfundim i mirë filmi, por, që s’do të ndodh.
CARRICK E YAYA
E Carricku është ndër mesfushorët më të rëndësishëm në ligë. Bashkë me Yaya Touren, kanë qenë truri i Manchesterëve për dekadën e fundit. Ndonëse i lënduar, qëndrimi i të dyve në ekipet e tyre nuk prish punë. Ndonëse mendoj që Yaya Toure do të lë Cityn pas titujve të fituar këtë sezon. Dhe meriton të largohet me tituj.
CHELSEA E CITY, QETË
Chelsea, Manchester City, e ekipet tjera nuk kanë kësisoj probleme. Jo këtë verë, por vera e vitit 2019 është vetëm 18 muaj larg. E ky janar dhe muajt në vazhdim do të jenë jo të lehtë për fansat e Arsenalit dhe Manchester Unitedit.