MIQËSORE: VËLLAZNIMI-PRISHTINA
Fetahaj bën dallimin në Vëllaznimi-Prishtina
1 August, 2017 @20:45
Sulmuesi i transferuar gjatë verës nga Liria te Prishtina, Liridon Fetahaj, ka bërë dallimin në miqësoren e pasdites së sotme të zhvilluar në Gjakovë, ku Prishtina mposhti Vëllaznimin, 1-0.
Fetahaj është gjetur mirë kur pranoi një top nga ish-lojtari i kombëtares, Ahmed Januzi, që vazhdoi aksionin e nisur nga Mentor Mazrekaj në minutën e 20 të takimit.
Sa i përket ndeshjes, Prishtina ka pasur edhe disa raste të mira, por portieri i gjakovarëve, Altik Muhaxhiri, e mohoi golin e prishtinasve në disa raste, ndërsa goditja e Bozhoviç u ndal nga transversalja.
Në anën tjetër, rasti më i mirë i gjakovarëve ishte për Dardan Rogovën në fillimin e pjesës së dytë, mirëpo portieri mysafir nuk lejoi gol dhe barazimi nuk u arrit.
Në fund, ajo që duhet përmendur është interesimi i madh i adhuruesve të Vëllaznimit, që edhe në miqësoren e radhës, pa marrë parasysh kundërshtarin, vazhdojnë të vinë me qindra në stadiumin e qytetit për të shikuar ndeshjen.