PAS NDËRPRERJES

FIFA del me njoftim për ndërprerjen në ndeshjen Brazili-Argjentina
6 September, 2021 @16:26
Shtëpia botërore e futbollit, FIFA, ka dalë para pak çastesh me një njoftim lidhur me ndeshjen e ndërprerë mbrëmë mes Brazilit dhe Argjentinës, në kuadër të kualifikimeve për Botëror nga zona e Amerikës Latine.
Ndeshja që luhej në Corinthians Arena, u ndërpre disa minuta pas fillimit, pasi që autoritetet shëndetësore braziliane tentuan të mos lejojnë tre futbollistë të Argjentinës në fushë, për shkak të thyerjes së rregullave për Covid-19.
Argjentinasit dolën nga fusha dhe gati një orë më vonë, ndeshja u ndërpre.
“FIFAs i vjen keq për skenat dhe ndërprerjen e ndeshjes mes Brazilit dhe Argjentinës, të vlefshmë për kualifikime në Botërorin “Katar 2022”, pasi që miliona tifozë në botë ishin duke u kënaqur duke shikuar dy shtetet futbollistike më të rëndësishme në botë. Raportet e para zyrtare nga ndeshja janë pranuar nga FIFA. Informacionet do të analizohen nga Komisionet kompetente disiplinore dhe vendimi do të mirret në përputhje me to,” është thënë në njoftimin e FIFAs.
Emiliano Buendia, Emiliano Martinez, Giovani Lo Celso dhe Cristian Romero janë dyshuar se kanë falsifikuar dokumentet për të udhëtuar në Brazil nga Anglia. Të katërtit luajnë në ligën angleze të futbollit. Selektori argjentinas kishte futur në lojë tre nga katër të dyshuarit, për të parë më vonë intervenimin dramatik nga autoritetet shëndetësore.